
Zhbllokohen lejet e ndertimit vetem per banesat individuale
Të gjithë qytetarët që do të duan të ndërtojnë në pronat e tyre do të mund të pajisen me leje ndërtimi nga njesitë e qeverisjes vendore përkatëse, leje e cila do të marrë dhe një miratim shtesë nga Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Këtë fakt e bëri të ditur vetë Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Sipas saj, do të jepen leje ndërtimi edhe për banesa individuale, krahas atyre për shërbime publike, dhe ky shërbim do të lehtësojë nevojat e qytetarëve.
Duke filluar nga ky muaj, gjithë të interesuarit për leje ndërtimi duhet të aplikojnë në Agjencinë Kombëtare të Planifikimit dhe nëse plotësojnë kushtet do të marrin lejen.
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Eglantina Gjermeni tha se në mbledhjen e fundit Këshillit Kombëtar të Territorit, është bërë identifikimi i zonave të urbanizuara, dhe miratimi i hartave ku mund të behën ndërtimi, dhe për këtë arsye do të rifillojë procesi i dhënies së lejeve të ndërtimit. Ministria Gjermeni foli edhe për ndërhyrjet dhe reformat e Ministrisë gjatë vitit të kaluar, si pastrimi i territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, që sipas saj ka sjellë rezultate të kënaqshme.
Sipas Gjermenit, paralelisht dikasteri që ajo drejton po punon për hartimin e planeve kombëtare afatgjata të cilat do të garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm urban, ekonomik, social dhe mjedisor. Lejet e ndërtimit u bllokuan në mes të vitit të kaluar, për të ulur nivelin e abuzimeve me territorin në vend.
Harta ku ndalohen ndërtimet ne Tiranë
Në ditën e fundit të dhjetorit 2014, Këshilli Kombëtar i Territorit caktoi Kurorën e Gjelbër të Tiranës. Në një njoftim për shtyp të Adelina Grecës, drejtore e Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, theksohet se ky vendim lidhet me zonat që rrethojnë kryeqytetin.
Kjo mbledhje vinte pas vendimit të Këshilli i Ministrave që përcakton Kurorën e Gjelbër të Tiranës dhe masat për mbrojtjen e saj. “Në kushtet aktuale, kur abuzimet me ndërtimet janë shndërruar në problem akut, mbrojtja e interesit publik është domosdoshmëri”, shprehet Greca. “Në javët në vijim, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, së bashku me Ministrinë e Mjedisit dhe në bashkëpunim me të gjitha Autoritetet e Planifikimit që preken nga ky vendim, do të hartojnë planin e zhvillimit me qëllim rritjen e shkallës së ruajtjes së Kurorës së Gjelbër të Tiranës”, njoftoi Greca. “Aktualisht, territoret që rrethojnë Tiranën janë kthyer për nga niveli i urbanizimit në qytete të mirëfillta, që tejkalojnë madje në këtë drejtim edhe bashki të kategorisë së parë të vendit.
Sot, kemi një peizazh të Kurorës së Tiranës të dominuar nga ndërtime, të cilat nuk kanë në vetvete vlera, por vetëm marrin vlerë për shkak se kanë mbirë në këto territore. Këto ndërtime, në shumicën e rasteve pa ndonjë kriter estetik, dhe pa ndjeshmëri karshi kontekstit ku janë vendosur, na tregojnë përsëri për gjendjen e emergjencës që rrethon kryeqytetin”, paraqet situatën Greca. Sipas drejtores së AKPT, fenomeni i ndërtimit pa kujdes ka degraduar tokat në periferi. Greca tha se nga këto ndërtime ka humbur funksioni dhe dimensioni rural i këtyre komunave.
“Vitet e fundit, logjika që dikton territori dhe pozita gjeografike, është përmbysur nga objekte të ndërtuara në mënyrë abuzive, por edhe nga iniciativa të ndërmarra nga njësi të qeverisjes vendore në periferi të qytetit, madje edhe nga vetë njësia e kryeqytetit vitet e fundit, të cilat kanë planifikuar qëllimisht dhe më pas kanë lejuar ndërtimin atje ku nuk duhej të kishte ndërtim; atje ku duhet të ruhej gjelbërimi dhe kurora e gjelbër e kryeqytetit”, akuzoi Greca.
Më të lexuarat








