Projekte te reja ne njesine 2: Nga hapja e Carshise se Toptaneve, tek transformimi i rrugeve
‘Çarshia e Toptanëve’ tek Kalaja e Tiranës do të hapet së shpejti për publikun, është njoftuar nga kryebashkiaku i Tiranës gjatë dëgjesës publike në njësinë Nr.2.
Lajmin e ka bërë të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë dëgjesës publike për buxhetin 2019 me banorët e Njësisë Nr.2. Shumë shpejt do të hapim “Çarshinë e Toptanëve” te “Kalaja e Tiranës”, një miniaturë e “Pazarit të ri”. Mandej, do të fillojmë edhe punimet tek rruga “Murat Toptani” te Pedonalja”, tha ai. Ndërkohë, duke u ndalur te projektet transformuese të njësisë 2, Veliaj shtoi se do të kryhen një sërë investimesh në këtë zonë. Më konkretisht, bashkia do të nisë rikualifikimin urban të zonës pranë Tregut Elektrik, një nga më të populluarat në kryeqytet.
Ndërkohë, janë në planifikim rikualifikimi i bllokut që kufizohet nga Bulevardi “Bajram Curri”, si dhe një sërë rrugësh pjesë e kësaj njësie: Rruga “Petro Nini Luarasi”, rruga “Taulantia”, rruga “Ali Demi”, e gjithë zona e “Tregut Elektrik”. Ndërkohë, ndër investimet e planifikuara janë rikonstruksioni i rrugës “Murat Toptani”; ndërtimi i rrugës “Enver Preza” dhe degëzimeve të saj; rikonstruksioni i rrugës “Grigor Cilka”; rehabilitimi i rrugës “Xhorxh Bush”; rruga tek liqeni pranë Rezidencës Hollandeze; rikonstruksioni i rrugës “Selim Jegeni” dhe degëzimet e saj (Sauk); rikonstruksioni i rrugës “Kadri Kërçiku”; rikualifikimi i rrugës Luigj Gurakuqi, si dhe sheshi rekreativ në Rr. “Osmët”./Scan