Ndertimi, biznesi i momentit - Sektori qe po njeh rritjen me te madhe dy vitet e fundit
Ndërtimi është biznesi i momentit dhe këtë e tregojnë edhe shifrat zyrtare.
Disa indikatorë, sinjalizojnë se, ky sektor është ai që po njeh rritjen më të madhe gjatë dy viteve të fundit. Një ndër indikatorët më domethënës është ai i volumit të ndërtimit. Sipas kësaj të dhënë, nga vitit 2016 në vitin 2017, rritja fiksohet në 19.6%. Grafiku, me ngjyrën bojëqielli, e tregon qartë rritjen e ndjeshme të volumit të ndërtime të reja gjatë vitit 2017. Një tjetër e dhënë që konfirmon trendin është pa diskutim ajo e lejeve të ndërtimit, thuajse në dyfishim, nga 455 në 2016, në 819 në vitin 2017.
Lejet janë në rritje të ndjeshme për thuajse çdo lloj ndërtese, si për banim, ashtu edhe për qëllime biznesi. Një tjetër indikator, ai i punësimit në sektor, tregon se në harkun e një viti, nga viti 2015 deri në vitin 2016, të punësuarit në sektorin e ndërtimit janë rritur me 18%, nga 55 mijë në 65 mijë. Dhjetë mijë të punësuar më shumë në sektor në harkun e një viti, edhe pse mund të jenë produkt i formalizimit, janë një shifër tejet domethënëse. Një tjetër e dhënë ndërkohë flet për një rritje të ndjeshme të biznesit në punimeve inxhinierike dhe arkitekturore, me 15.6% në vitin 2017./Scan