
Privatizimi i sherbimeve publike, gati 65 koncesione
Qeveria shqiptare një nga sfidat kryesore për vitin 2015, do të ketë rritjen e bashkëpunimit me projekte të përbashkëta publik-privat. Kështu, një sërë sektorësh publikë të cilët deri më tani nuk kanë ofruar shërbime cilësore për qytetarët dhe që janë kosto për financat publike, pritet të privatizohen gjatë vitit 2015.
Ishte ministri i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj që paralajmëroi dhënien me koncesion të disa shërbimeve publike.
Janë 65 koncesione që qeveria do t’u ofrojë privatëve me qëllim për të hequr barrën e kostove nga buxheti, por edhe për një cilësi më të mirë të shërbimeve. “Janë rreth 65 projekte të sjella nga ministritë e linjës dhe institucionet, me një vlerë totale, në vite, prej 375.6 miliardë lekësh, si burime në mbështetje të drejtpërdrejtë të rritjes ekonomike”, deklaroi dje ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Duke folur për shërbimet që do t’i kalojnë privatit, ministri Ahmetaj tha se “një sërë sektorësh, për herë të parë, siç është bujqësia, shëndetësia apo regjistrimi i pasurive të paluajtshme, siguria ushqimore, shërbimi spitalor që në traditë kanë qenë natyrshëm në kurriz të buxhetit të shtetit, sot fillojnë të shihen ndryshe, duke i afruar nëpërmjet kontraktimeve publike-private në favor të qytetarëve, me shërbime më cilësore”.
Ministri i Ekonomisë tha se oferta përfshin gamën më të gjerë të mundshme kontraktore publik-privat, duke përfshirë shërbime të cilat deri tani kanë qenë kosto për financat publike dhe kanë lënë shumë për të dëshiruar te qytetarët. “Nëpërmjet formatit të ri të partneritetit publik-privat, marrëdhënies së re publik-privat, ne synojmë që jo vetëm të rrisim eficiencën e këtyre shërbimeve dhe cilësinë e këtyre shërbimeve, por gjithashtu, në vend që të thithim dhe të shpenzojmë fonde publike, përkundrazi, t’i bëjmë të prodhojnë cilësi shërbimesh për qytetarët dhe fonde publike në favor të buxhetit të shtetit”, tha Ahmetaj, duke theksuar cilësinë si përfitim nga këto koncesione. Ndër koncesionet më të rëndësishme që do të realizohen muajin tjetër, Ahmetaj renditi ndërtimin e Rrugës së Kombit dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit. “Janë 146 miliardë lekë financime që lirohen për buxhetin e shtetit dhe sigurisht, që shkojnë për financim të projekteve të tjera, të cilat deri më sot mund të mos kenë pasur mundësi, për shkak të mungesë së financimeve”, theksoi Ahmetaj.
Skema e marrëdhënies së re publik-privat, e kontraktimit, e koncesioneve publik-privat, sipas ministrit Ahmetaj, jo vetëm që do të sjellë më shumë se 350 miliardë lekë në ekonominë shqiptare, por do t’i lirojë buxhetit të shtetit, gjithashtu, një shumë afërsisht 150 miliardë lekë. “Sot dua të bëj një ftesë për sipërmarrjen shqiptare dhe asaj të huaj, që të paraqesin idetë e tyre, propozimet, studime dhe projekte konkrete për partneritete publik-privat në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, pa kufij”, deklaroi Ahmetaj. Ligji i koncesioneve të tipit partneritet publik-privat u bë nga qeveria “Berisha”, e cila e përdori për të privatizuar disa shërbime që sot u sigurojnë pronarëve qindra miliona euro të sigurta, ndërsa shqiptarëve, përveç shërbimit më të mirë u ka kushtuar më tepër lekë në xhepin e tyre. Kështu, koncesioni i pullave fiskale më 2010 iu dha kompanisë zvicerane “Sicpa Security Solutions sa”. Lotaria Kombëtare iu dha si koncesion menaxhimi kompanisë austriake “Austrian Lotteris”.
Kolaudimi i makinave, që është një proces kontrolli i përvitshëm, i detyrueshëm për çdo automjet që është i regjistruar në vendin tonë, në vitin 2009, iu dha kompanisë zvicerane “SGS Automotive Albania”. Më pas, koncesioni i ngjyrosjes së karburanteve iu dha firmës “Global Fluids International” për 10 vjet. Ajo ka për detyrë markimin dhe monitorimin e karburanteve. Ndërsa në vitin 2008, iu dha me koncesion firmës franceze “Sagem” e drejta për të prodhuar dokumentet e identifikimit në vendin tonë. Këto koncesione janë kritikuar nga e majta, qëndrim që të jep shpresë se kusht për koncesionet e reja do të jetë të mos rriten çmimet
Sektorët që do të jepen me koncesion
-Siguria ushqimore dhe veterinaria
-Shërbime të kryerjes së analizave të sigurisë ushqimore dhe shërbimet fitosanitare
-Shërbime të sigurisë veterinare dhe laboratorët për kryerjen e analizave.
-Shërbimet për riciklimin e mbeturinave
Transportet
Dhënia e koncesioneve për ndërtim, mirëmbajtje, operim të akseve kryesore rrugore me qëllim përmirësimin e sigurisë rrugore
-Tenderi i koncesionit të ndërtimit të segmentit të Rrugës së Arbrit, në fund të shkurtit.
-Tenderi i mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Morinë.
Shëndetësia
-Kontrolli bazë mjekësor dhe shërbimi i dializës.
-Faza e parë do të nisë në Korçë, Vlorë dhe Shkodër.
-Do të jepet nën administrimin privat me koncesion një spital rajonal
Mjedisi
-Administrimi i mbetjeve spitalore.
-Koncesioni i administrimit të diferencuar të mbetjeve të institucioneve qendrore dhe vartësisë së tyre; mbetjet elektronike; mbetjet elektrike; mbetjet nga ambalazhet; vajrat e përdorur; mbetjet organike; mbetjet nga makinat në fund të jetës; gomat e përdorura; bateritë apo e gjithë gama e mbetjeve që dëmtojnë ambientin dhe shëndetin publik.
-Do të jepen me koncesion sipërfaqe toke me qëllim ripyllëzimin e zonave të mbrojtura.
-Do të ofrohen koncesione për pronarët dhe administruesit privatë, gjysmëpublikë dhe publikë të tokave dhe pyjeve.
Mirëqenia sociale
-Koncesione për investimet në shtëpitë e të moshuarve, të fëmijëve, qendrat e zhvillimit për personat me aftësi të kufizuar, strehë për gratë viktima të dhunës në familje.
-Projekte për hapjen e shkollave të reja profesionale dhe profileve të reja të studimit në Qendrat e Formimit Profesional në bashkëpunim me privatin.
Financat
-Do të jepet me koncesion mbledhja e tatimeve e-taxation (taksimi elektronik).
-Një nga projektet që po studiohet nga Ministria e Financave për dhënie me koncesion është tatimi mbi pasurinë. Ky është një koncesionim i mbledhjes, por edhe i dokumentimit të pronës, me qëllim evidentimin e saktë të pronave, por edhe një rritje të të ardhurave, nga tatimi mbi pronën.
Turizmi
-Dhënia me koncesion e hapësirave me qëllim nxitjen e zhvillimit të turizmit./Gazeta Shqip
Më të lexuarat








