Secondary Adv

Rikthehet linja e trenit ne Tirane - Veliaj : Nje tren hibrid do te vendoset ne stacionin e vjeter

Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë 9, kryebashkiaku Veliaj u shpreh se një lajm mjaft i mirë është vendimi i qeverisë për rivendosjen e linjës së trenit.

 

Veliaj tha se investimet në këtë njësi kanë nisur nga qendra e deri në periferi, aty ku Bregu i Lumit ka ndryshuar plotësisht pamjen e sot është një realitet krejt tjetër. “Fakti që kemi kaluar tre stinë vjeshte dhe dimri pa përmbytje, do të thotë se problematika me lumin e Tiranës është si ‘përrallë nga e kaluara’”, tha ai. Sipas tij, është drejt përfundimit edhe një nga investimet më të rëndësishme për qytetin, projekti i Bulevardit të Ri. “Bulevardi i Ri ka pësuar ndoshta transformimin më të madh në këto 3 vite; jemi thuajse afër fundit, na ka ngelur vetëm sheshi fundor, ku jemi duke punuar aktualisht”, tha Veliaj. Edhe pse nuk ka përfunduar ende, shumë prej institucioneve dhe kompanive ndërkombëtare kanë shprehur interes që të zhvendosen aty, për t’i dhënë një zhvillim të ri kryeqytetit. Lajmi i mirë jo vetëm për Njësinë 9, por për gjithë kryeqytetin, është edhe vendimi i qeverisë shqiptare për rivendosjen e linjës së trenit, pikërisht në ish stacionin e vjetër.

 

“Lajmi i mirë që na erdhi nga Edi dhe Damiani është se do t’i rikthehemi trenit të Tiranës, aty ku ka qenë stacioni i trenit. Risia është se do të kemi një tren elektrik në Tiranë. Kemi zgjedhur një tren hibrid, i cili do të punojë me karburant pasi lë Tiranën, por sa hyn në Tiranë, do të punojë me energji elektrike”, shpjegoi Veliaj. Një tjetër lajm fantastik për njësinë është projekti për transformimin e Bulevardit “Zogu I”, në një zonë të dedikuar për turistët. “Ambicia jonë është që Bulevardi “Zogu I”, nga ish-Stacioni i Trenit deri tek Sheshi “Skënderbej” të transformohet në një rrugë shopingu, siç kemi bërë me pjesën e Pazarit të Ri; për këtë do të rregullojmë të gjitha fasadat, do ta zgjerojmë akoma më shumë trotuarin, do të kemi 4 sheshe dhe 4 ‘piaceta’. Do të jetë një nga rrugët më të bukura në Tiranë, pa dalluar shumë nga Bulevardi i Ri”, theksoi kryebashkiaku i Tiranës./Shqip


Më të lexuarat