Secondary Adv

Buxheti shqiptar: Shume taksa, pak te ardhura - Krahasimi me rajonin

Shqipëria mbetet vendi me barrën më të lartë të taksave në rajon së bashku me Serbinë, por që nuk arrin ta justifikojë atë me të ardhura.

 

Vendi nuk ka arritur asnjëherë të ketë të ardhura më të larta se 28% të PBB-së, duke u renditur i fundit në rajon dhe ndër nivelet më të ulëta të Europës. Ndërsa Serbia, me barrë të taksave të ngjashme me ne, është shteti që arrin të mbledhë të ardhura rekord në rajon, në nivelin e 41.8% të PBB-së të pritshme për 2019-n, sipas raportimeve zyrtare të Ministrisë së Financave Serbe në programin ekonomik të reformave 2018-2020. Mali i Zi pritet të mbledhë 40.1% të PBB-së në projektbuxhetin e vitit 2019. Maqedonia ka një rendiment fiskal prej 29% të PBB-së, që ka ardhur në rënie vitet e fundit, si rrjedhojë e taksës së sheshtë. 

 

Taksa ku Shqipëria çalon dukshëm është ajo e kontributeve të sigurimeve shoqërore, që sjell vetëm 5.6% të PBB-së, ndërsa mesatarja e rajonit është midis 8-10% dhe arrin rekord në Serbi me 14.6%. Evazioni nga pagat konsiderohet i lartë në vendin tonë, me pjesën më të madhe të bizneseve që raportojnë paga më të ulëta sesa realja. Niveli i lartë i tatimit mbi të ardhurat, me 23% për pagat mbi 130 mijë lekë e nxiti dhe më tepër evazionin për pagat e larta, duke bërë që shumë individë të regjistroheshin si subjekte të vogla dhe të lëshonin fatura përkundrejt shërbimeve (qeveria po merr masa në Paketën Fiskale 2019 për të luftuar këtë fenomen).   

Për TVSH-në, Shqipëria, në nivelin 8.8% të PBB-së është më mirë se Maqedonia, por më poshtë se Serbia dhe Mali i Zi. Ky i fundit, që mbështetet në industrinë e shërbimeve (turizmin) arrin të mbledhë një rekord prej 14.6% të PBB-së. Një tjetër taksë e nënmbledhur është akciza, me vetëm 2.8% të PBB-së në Shqipëri, sa gjysma e Serbisë, që ka dhe rendimentin më të mirë. Tatimfitimi ka një rendiment të mirë fiskal në Shqipëri, me gati 2% të PBB-së, në nivele të ngjashme me vende të tjera të rajonit. Shqipëria dhe Maqedonia kanë nivelin më të ulët të tatimit që mbledhin nga të ardhurat, me rreth 2.4% të PBB-së, nga 3.6% që është ky tregues për Serbinë. Ndryshe nga fqinjët, Shqipëria ka një nivel të lartë të taksave të tjera, që vijnë kryesisht nga renta minerale, teksa vendi ka dhënë një pjesë të konsiderueshme të pasurive të tij me koncesion.  

 

SHQIPËRIA ME SHPENZIMET MË TË LARTA KAPITALE, PAGAT MË TË ULËTA

Niveli i ulët i të ardhurave nuk u lë shumë hapësira financave për të shpenzuar, teksa maksimumi i deficitit buxhetor që ata mund t’i lejojnë vetes është rreth 3% e PBB-së. Por, Shqipëria arrin të veçohet për nivelin e lartë të shpenzimeve kapitale, që për 2019-n parashikohet në 4.9% të PBB-së, duke ia kaluar vetëm Mali i Zi, me 6.3% të PBB-së. Shpenzimet e personelit në Shqipëri dhe Maqedoni janë më të ulëta në rajon, me 4.2 dhe 4.4% të PBB-së, ndërsa në Serbi e Mal të Zi, ato arrijnë në gati 10% të PBB-së.

Në Serbi, sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave në gusht, paga mesatare në sektorin shtetëror në të gjitha nivelet ishte rreth 85 mijë dinarë, ose rreth 717 euro, nga rreth 420 euro në sektorin publik shqiptar. I gjithë rajoni vuan nga zhbalancimi i skemës së pensioneve, që konsumon mesatarisht 10-15% të PBB-së si shpenzime për transferta sociale. Maqedonia, me borxh më të ulët, shpenzon 1.35% të PBB-së për pagimin e interesave, ndërsa në vendet e tjera,ky tregues luhatet mes 2.1-2.7%./Monitor 


Më të lexuarat