Secondary Adv

Taksa e prones nis ne 2020 - Qeveria: Vetem 50 perqind e banesave te regjistruara ne sistem

Taksa e pronës sipas metodologjisë së re do të vazhdojë të mbetet në zbatim spontan nga bashkitë për aq kohë sa nuk do të ketë një sistem të dhënash të përfunduar. 

 

Qeveria ka pranuar në një dokument të fundit të saj lidhur me reformat ekonomike 2019-2021 se ka pasur një riorganizim në lidhje me aktivitetet e parashikuara të projektit për shkak edhe të asistencës së huaj që po jepet. Në objektivat e për tre vite pranohet se 2019-a do të ketë fokus tërësisht tek ndërtimi i sistemit, një proces që duket se nuk konsiderohet aq i thjeshtë për aq kohë sa është klasifikuar tek risqet potenciale. “Aktivitetet e planifikuara në programin ekonomik të reformave 2018-2020 kanë ndryshuar për shkak të ofrimit të asistencës ndërkombëtare për ngritjen e kadastrës fiskale përmes një projekti plotësisht të financuar që nisi nga 2018. Gjithsesi aktivitetet e mëparshme nuk janë hequr thjesht janë riorganizuar si pjesë e aktiviteteve të projektit.

 

Në vitin 2019 është parashikuar nisja dhe specifikimi (krijimi i bazës së IT-së). Kjo fazë përfshin përgatitjen e kërkesave dhe dizajnimin e sistemit. Në vitin 2020  pritet të bëhet zbatimi i taksës së pronës bazuar në vlerën e tregut. Qasja përmes modelit të vlerës së tregut do të zbatohet për të gjitha 61 bashkite. Në 2021 është parashikuar faza e tranzicionit. Regjistri do tranzitohet tek bashkitë” thuhet në program. Sakaq synohet që më shumë se 90 për qind e ndërtesave të jenë të regjistruara deri në vitin 2020. Përtej këtij objektivi ambicioz qeveria konsideron se ka një risk potencial të lidhur me saktësinë e të dhënave, kjo në kushtet kur sot për sot janë regjistruar në sistem më pak se 50 për qind e ndërtesave. “Të gjitha ndërtesat do të regjistrohen në sistem. 700 mijë nga 1.5 milionë janë tashmë të regjistruara në sistem ku ka informacion për pronarin dhe sipërfaqen. 

 

Pjesa tjetër e ndërtesave nuk e kanë këtë informacion ndaj Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pronës ka hartuar disa teknika për të gjeneruar informacion për rastet kur mungojnë të dhënat dhe kontrolle në terren” pranohet në dokument. Ndër të tjera theksohet edhe një herë se qëllimi i kadastrës është që të konsolidojë dhe përmirësojë cilësinë e të dhënave aktuale mbi tokën, ndërtesat dhe pronarët apo ata që janë përdorues të kësaj pasurie dhe për të llogaritur detyrimin vjetor të taksës të lidhur me çdo pasuri. Secila pasuri do të lidhet me një numër unik identifikimi të pronarit legal apo përdoruesit të cilët do të identifikohen edhe ata me numrin e ID apo entitetin. Njësia përgjegjëse për kadastrën nuk do të ketë autoritetin për të zgjidhur konflikte ligjore apo për të verifikuar pronësinë. Kadastra fiskale është një projekt që ka vite që lakohet dhe synon që të ndryshojë tërësisht mënyrën sesi paguhej taksa e pronës, duke pasur në bazë të saj vlerën e tregut. më herët formula ishte sipas sipërfaqes,  një vlere fikse(e ndryshme per tre zona) që përcaktohej me vendim./Monitor 


Më të lexuarat