Secondary Adv

Qeset plastike: Vijon prodhimi dhe tregtimi i qeseve jashte standardit

Tre kompani prodhuese të qeseve plastike janë gjobitur nga Inspektoriati Mjedisor në tre muaj, pas hyrjes në fuqi të ligjit që ndalon prodhimin dhe tregtimin e tyre.  

 

Gjatë aksioneve të përditshme të inspektoriateve në qytete të ndryshme të vendit janë vënë re një sërë shkeljesh nga ana e prodhuesve të plastikës ku dhe nuk kanë munguar masat të cilat deri më tani shkojnë në shumën e tre milionë lekëve, ndërkohë që dy prej kompanive të cilat janë identifikuar dhe gjobitur për shkelje të ligjit që ndalon prodhimin e qeseve të pariciklueshme, funksiononin pa leje mjedisore çka ka bërë që inspektoriati mjedisor të marrë masë plotësuese me pezullim aktiviteti. Aksionet priten të përfshijnë gjithë tregjet të mëdhenj dhe të vegjël për shmangien e qeseve të tilla të cilat ende kanë mbetur stok edhe pse prodhimi në tre muaj ka rënë me 70%. Inspektorja Amantia Fejzolli sqaron etapat e inspektimeve qe kryhen, duke filluar me kompanitë e deri të tregtarët e vegjël, kjo për të nxitur zbatimin korrekt të standarteve të përcaktuara me Vendim të Këshillit të Ministrave. 

 

Sa kompani prodhuese të plastikës operojnë aktualisht në treg dhe në çfarë faze janë kontrollet? 

Që prej hyrjes në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave për ambalazhet plastike, Inspektoriati i Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit ka qënë në mbikëqyrje të vazhdueshme të situatës dhe ka kryer inspektime të vazhdueshme në çdo subjekt që merret me veprimtari linjë prodhimi të produkteve plastike. Fillimisht, nga informacionet e marra nga degët rajonale të inspektoriatit të mjedisit si edhe nga drejtoria e tatimeve rezultonin se operonin në vendin tonë 22 subjekte me këtë veprimtari. Nga inspektimet në terren, u vu re se operonin 25 subjekte të tilla; pra, tre subjekte ushtronin veprimtarinë e tyre të paregjistruar.

 

Inspektoriati i mjedisit ka pasur bashkëpunime të ngushta edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave duke i kërkuar atyre informacion për çdo subjekt i cili importon qese plastike. Në vijimësi të aksionit, nga rezultatet në terren dhe nga inspektimet që iu janë bërë subjekteve të ndryshme që operojnë në këtë drejtim u konstatuan tre subjekte të cilat vepronin në kundërshti me Vendimet e Këshillit të Ministrave. Ndaj një subjekti është marrë masë administrative deri në 1 milion lekë të reja, pasi ushtronte veprimtarinë në kundërshti me kushtet e VKM –së, dhe ndaj dy subjekteve të tjera është marrë masë administrative si edhe masë për pezullimin e aktivitetit, pasi u konstatua se këta subjekte ushtronin veprimtarinë e tyre të papajisur me leje mjedisore./Scan


Më të lexuarat