Secondary Adv

12 bashki kerkojne rritjen cmimit te ujit te pijshem

Çmimi i ujit të pijshëm mund të rritet në 12 bashki të vendit, kjo pasi 12 ndërmarrje ujësjellësi kanë aplikuar pranë Entit Rregullator të Ujit (ERRU) për ndryshim tarifash. Ky Ent deri më tani ka miratuar vetëm njërën prej tyre, të ujesjellësit të Korçës, ku cmimi nga 65 lekë/m3 që është aktualisht të ndryshojë në 72 lekë/m3 për konsumatorët familjarë.


Ndërsa për bashkitë e tjera vendimi i ERRU për kërkesat e tyre të shpallet në muajin mars 2015. “Në vitin 2014 kanë paraqitur kërkesën për ndryshimin e tarifave 12 operatorë. Secili prej tyre kryen aktivitetin e tij sipas licencave të dhëna nga Enti Rregullator për shërbimet ujësjellës dhe kanalizime. Vetëm dy shoqëri nga këto 12 kryejnë vetëm shërbimin e furnizimit me ujë, të tjerat dhe ujë dhe kanalizime”, sqaron Ana Metohu, Përgjegjëse Sektorit Ekonomik dhe Monitorimit, ERRU.


Por jo vetëm tarifat e ujit të pijshëm për familjarë, kërkohen të ndryshojnë , por edhe për klientët buxhetorë dhe privat si dhe për ujërat e ndotur, kanalizimet.“Aktualisht procesi është në hapjat e fundit për sh. a Ujësjellës Korçë, proces i cili tani ka përfunduar, është shqyrtuar në komision, është çuar vendimi pranë operatorit dhe pushtetit vendor, se kështu është procedura, pritet 14 ditë pas kësaj dhe jepet vendimi. brenda janarit ne do të kemi një vendim për sh.a Ujësjellës Korçë“, vijon Metohu.


Nga këto 12 Bashki, 2 prej tyre aplikojnë për hërë të parë për ndryshim tarife, ndërsa të tjerat kanë bërë kërkesë edhe në vitet e kaluara. “Komisioni kombëtar rregullator e vendos tarifën duke bërë një proces vlerësimi të këtij aplikimi, që do të thotë që vlerësohen kostot e shërbimit, treguesit kryesor të performancës të shoqërisë, po dhe përballueshmëria e këtyre tarifave nga konsumatorët. Duke bërë një balancë midis asaj që kërkohet për të rritur qëndrueshmërinë financiare të opratorit dhe mbrojtjes së konsumatorit komisioni këtu ka detyrën kryesore dhe i merr parasysh të gjitha këto faktorë që ndikojnë në ndryshimin e tarifave”, vijon Metohu.


Ajo bën të ditur se shumë qytetarë janë ankuar pranë ERRU për mbifaturim të ujit të pijshëm si dhe për faturim aforfe. Sipas saj faturimi në rastet e mungesës së matësit, bëhet me një normative prej 150 letra/frymë në ditë.


UKT: Nuk do ketë rritje të çmimit
Në një komunikatë për shtyp, Ujësjellës Kanalizime Tiranë, sqaron opinionin publik se shoqëria Ujësjellës Kanalizime Tiranë, nuk ka bërë kërkesë për rritje të çmimit të ujit, pranë Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë. Bashkia e Tiranës bashkë me njësitë e tjera të qeverisjes vendore si dhe Organet Drejtuese e UKT-së, duke vlerësuar gjendjen socialekonomike të popullsisë së zonës ku ofron shërbimet e saj kjo shoqëri, nuk do të aplikojë në të ardhmen e afërt për rritje te çmimit të ujit. Ujësjellës Kanalizime Tiranë, pavarësisht çmimit që ka aktualisht uji i pijshëm, ka arritur të administrojë më së miri fondet e veta dhe të kryejë investimet e nevojshme për të përmirësuar infrastrukturën”.


Ersekë -Shoqëria e Ujësjellës kanalizimeve Ersekë ka kërkuar rritje si për ujin e pijshëm ashtu edhe për shërbimin e kanalizimeve. E pa prekur mbetet tarifa fikse ndërsa tarifa variabël shkon 11 lekë për metër kub më shumë për konsumatorin familjar, 13,5 lekë më shumë për institucionet buxhetore dhe 27 lekë për metër kub për konsumatorin privat. 


Korçë -Korça ka qenë edhe qyteti ku ka kërkuar që rritja e çmimit të bëhet në vlera shumë më të vogla se shoqëritë e tjera. Klienti familjar, sipas sugjerimeve, do të paguajë 7 lekë më tepër për metër kub, klienti buxhetor 5 lekë më shumë, ndërsa ai privat do të mbetet i pa ndryshuar.

Himarë - Shoqëria e Ujësjellës - Kanalizimeve në Himarë ka kërkuar rritje të çmimit si për ujin e pijshëm ashtu edhe për ujin e ndotur. Kërkesa për ujin e pijshëm për familjarët është në vlerën e 2 lekëve më shumë për metër kub, ishte 8 lekë për metër kub dhe kërkohet të bëhet 10 lekë. Për klientët buxhetorë, në Himarë, është kërkuar që rritja të jetë me 3 lekë, ndërsa për biznesin 10.5 lekë më tepër. Pra konsumatori privat i cili ka paguar 12 lekë për metër kub, sipas sugjerimeve duhet të paguajë 22,5 lekë.


Elbasan-Shoqëria e Ujësjellës- Kanalizimeve në Elbasan për zonën e fshatrave ka kërkuar një dyfishim të tarifës fikse, nga 100 lekë të bëhet 200 lekë. Ndërsa tarifa variabël për konsumatorin familjar të ketë një rritje më shumë se dyfishin. Ka qenë 36 lekë për metër kub dhe është kërkuar të bëhet 84 lekë për metër kub. Konsumatori privat kërkohet të paguajë 90 lekë më shumë për metër kub dhe buxhetori 50 lekë më shumë për metër kub.


Më të lexuarat