Secondary Adv

Si kane ndryshuar mallrat e konsumit 5 vitet e fundit- Cmimi i frutave dhe perimeve i dyfishuar

Në pesë vitet e fundit, çmimet e frutave dhe perimeve në Shqipëri pothuajse janë dyfishuar.

 

Duke krahasuar indeksin mesatar të çmimeve të konsumit për vitin e kaluar me atë të vitit 2012, bie qartë në sy se çmimet e prodhimeve të freskëta bujqësore kanë njohur një rritje të jashtëzakonshme. Më konkretisht, çmimet e grupit të perimeve janë rritur me 97%, ndërsa ato të grupit të frutave me 86%. Në analizë i jemi referuar vitit të fundit me statistika të plota, por, çmimet e këtyre produkteve janë rritur ndjeshëm edhe gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti, ku rritja është më e theksuar sërish te perimet. Shtrenjtimi i fortë i produkteve kryesore bujqësore rrit skepticizmin lidhur me valën e entuziazmit që ka karakterizuar retorikën politike të qeverive të fundit, kur flitet për bujqësinë. As të dhënat e prodhimit kombëtar nuk tregojnë rritje domethënëse të këtij sektori, ndërsa, nga ana tjetër, shtrenjtimi i tyre tregon për një ofertë që, në rastin më të mirë, nuk është rritur mjaftueshëm.

 

Si llogaritet inflacioni

Indeksi llogaritet dhe publikohet sipas strukturës së klasifikimit të Shpenzimeve Individuale sipas Qëllimit), i përputhshëm plotësisht me strukturën e shpenzimeve që përdor EUROSTAT. Bazuar në këtë klasifikim shpenzimet janë klasifikuar në 12 grupe kryesore si: Ushqime, pije alkoolike dhe duhan (38.6% e peshës së shpenzimeve); Pije alkoolike dhe duhan (3.5%) ; Veshje dhe këpucë (4.1%); Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji elektrike (20.9%) ; Mobilie, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje (6.1%) ; Shëndetësi (3%); Transport (6%); Komunikim (2.8%) ; Arsim dhe kulturë (2.6%) ; Shërbim arsimor (3.1%) ; Hotele, kafene dhe restorante (3.8%) ; Mallra dhe shërbime të tjera (5.5%). Rezultatet e Anketës së Buxhetit të Familjeve (ABF) 2015 u përdorën për përzgjedhjen e artikujve të shportës së përditësuar. Për këtë qëllim është punuar mbi një skedar të shpenzimeve të familjeve me afërsisht 478 artikuj.

 

Shqipëria ka 12 qarqe. Për qëllim të llogaritjes së IÇK-së janë përdorur 11 qarqe, ku qarku i Kukësit është përfaqësuar nga qarku i Dibrës. Peshat janë llogaritur duke marrë në konsideratë zonën urbane dhe rurale (fshat- qytet), ndërsa çmimet mblidhen vetëm në zonën urbane. Për zgjedhjen e dyqaneve ndiqen dy kritere: tipi i dyqanit; vendin ku ndodhet dyqani. Bazuar në tipin e dyqanit, çmimet mblidhen në dyqane të specializuar, mini markete, supermarkete, tregje të hapura e të tjera. Ndërsa, bazuar në vendin e ndodhjes së dyqanit çmimet mblidhen në dyqane që janë në qendër të qytetit dhe në periferi duke siguruar kështu mbulimin e të gjithë territorit. Në çdo qytet çmimet mblidhen në 6-8 ose 10 dyqane. Çdo muaj afërsisht mblidhen rreth 30 mijë çmime individuale. Çmimet mblidhen në rreth 3500 dyqane çdo muaj.

 

Ushqimet janë shtrenjtuar me 20%

Në pesë vitet e fundit, çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar me 20%. Kjo sigurisht që ka rënduar buxhetet familjare, po të kemi parasysh se ushqimet zënë rreth 39% në shportën e shpenzimeve familjare që përdoret si referencë për llogaritjen e inflacionit. Rritja e çmimeve është mjaft e theksuar te perimet dhe frutat, megjithatë, shtrenjtimi i fortë në këto grupe është ekuilibruar pjesërisht nga rënia e çmimeve në grupet e produkteve ushqimore të përpunuara, çmimet e të cilave lidhen kryesisht me importin dhe konjukturën e tregjeve ndërkombëtare. Në pesë vjet, çmimi i bukës për shqiptarët nuk është shtrenjtuar, përkundrazi, ka rënë mesatarisht me 1%. 

 

Ndërsa çmimi i mishit, tjetër produkt i rëndësishëm në dietë dhe në shportën e shpenzimeve, është rritur me vetëm 0.7% në harkun e pesë viteve. Rënie të çmimeve kanë pësuar edhe vajrat ushqimorë, me 8.8% dhe sheqeri e ëmbëlsirat, me 2.2%. Në të njëjtën masë me ushqimet janë shtrenjtuar edhe pijet alkoolike dhe duhani. Rritja është më e theksuar te duhani, me rreth 29%, ndërsa çmimet e pijeve alkoolike janë shtrenjtuar me rreth 9%. Sidoqoftë, te këto produkte rritja në kohë është logjike, për shkak të regjimit fiskal që synon të dekurajojë konsumin e tyre. Rritja graduale e akcizës në kohë, sidomos për duhanin, i rrit çmimet me qëllim uljen e kërkesës për këto produkte.

 

Veshjet dhe këpucët janë 9% më të lira

Po të shohësh publikimet periodike për inflacionin, bie vazhdimisht në sy se për grupin veshje dhe këpucë” ai është në vlera negative prej vitesh. Çmimet e këtyre produkteve kanë rënë me 9% krahasuar me vitin 2012. Çmimet për veshjet e burrave kanë rënë me 15%, ndërsa ato për veshjet e grave me 17%. Por, ndërkohë, rënia është shumë e kufizuar te çmimet e veshjeve për fëmijë, me 1.4%. E njëjta tendencë vërehet edhe për këpucët, ku rënia është shumë më e ndjeshme te ato për të rritur, ndërsa te fëmijët çmimet kanë rënë më pak se 1% në pesë vjet. Rënia e çmimeve të veshjeve besohet se lidhet me ofertën mjaft të lartë dhe të diversifikuar./Scan


Më të lexuarat