SHBA dhuron kamera termike Hi-Tech per doganat shqiptare
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet programit të saj për Kontrollin e Eksporteve dhe Sigurinë Kufitare, ka dhuruar diten e djeshme për doganat shqiptare, kamera termike të teknologjisë së lartë për vëzhgimin e kufirit blu dhe të gjelbër.
Në takimin e organizuar për këtë rast Drejtorja e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali dhe Zv/Drejtori i Përgjithshëm Operativo-Hetimor, Admir Abrija pritën Këshilltarin Rajonal të Programit Alan C. Theriault dhe Koordinatoren e këtij programit Vilma Guri.
Programi EXBS me anë të të cilit synohet rritja e kapaciteteve për Administratën Doganore dhe Policinë Kufitare, në vijim të ndihmës për Doganën Shqiptare, ka dhuruar dy kamera termike të teknologjisë së lartë të specializuara për shikim natën, të cilat do të përdoren në pikat e kalimit kufitar. Më parë me anë të këtij programi është kontribuar për pajisje të tjera logjistike dhe trajnime për të rritur kapacitetet e Administratës Doganore. Gjatë takimit mes palëve u fol për vazhdimësinë e mbështetjes dhe ndihmës së Ambasadës së SHBA nëpërmjet Programit EXBS për trajnime të tjera për punonjësit e doganës dhe gjithashtu për materiale logjistike të teknologjisë së lartë.
Ndihma e deritanishme ka qenë tepër e çmuar për Administratën Doganore, e cila synon në vazhdimësi të përmirësojë kapacitetet dhe mekanizmat e kontrollit në pikat kufitare. Gjithashtu nëpërmjet këtij programi do të vazhdojë bashkëpunimi institucional me agjencitë e tjera që operojnë në territoret doganore. Ndërkohë që në fund të takimit është vendosur edhe për planifikimin e një konference rajonale për Doganat dhe Policinë Kufitare në Tiranë.