Secondary Adv

OSHEE do te verifikoje pagesat e dritave ne poste qe nga viti 2010


Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të verifikojë të gjitha pagesat e faturave të energjisë elektrike që janë bërë nëpërmjet Postës Shqiptare në që nga viti 2010.

 

Për shkak të mijëra ankesave që kanë mbërritur në OSHEE nga abonentët, është vendosur ngritja e një grupi të përbashkët pune me Postën Shqiptare dhe rakordimi i të dhënave për periudhën 2010-2014.

Deri më tani, pranë zyrave të OSHEE-së rezultojnë 5833 ankesa të abonentëve për këtë fenomen ndërsa u është dhënë zgjidhje 2034 prej tyre. OSHEE i ka bërë thirrje qytetarëve që e kanë pasur këtë problem, të tërheqin pranë Postës Shqiptare një kopje të mandatit të arkëtimit që kanë bërë dhe të paraqiten në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit të kompanisë.


Për rastet kur qytetarët kanë kryer pagesën por ajo nuk është përcjellë drejt kompanisë së shpërndarjes, OSHEE do të kërkojë këtë shumë financiare nga Posta Shqiptare. Në rastet kur shuma mund të jetë derdhur por nuk është pasqyruar në sistem, korrigjimi do të kryhet nga OSHEE.
OSHEE garanton qytetarët se asnjë abonent që arrin të provojë se e ka kryer pagesën përmes shërbimit të Postës nuk do të penalizohet dhe as detyrohet të ripaguajë faturat. Ndërkaq, për ata abonentë që me mandatin e arkëtimit provojnë se kanë paguar brenda afateve kohore faturat përmes shërbimit të Postës Shqiptare, por rezultojnë me kamatë në sistemin e OSHEE, ajo do të fshihet dhe qytetarët nuk do të figurojnë debitorë. Jo më larg se dje, të njejtin problem e ngriti edhe Posta Shqiptare, e cila shprehu gatishmërinë për të verifikuar pagesat e bëra por duke vënë në dukje se problemi është i mbartuar nga vitet e kaluara.


Hetim për punonjësit e postës
Punonjësit e Postës Shqiptare, të cilët kanë abuzuar me detyrën, janë dërguar për ndjekje penale. Kështu është shprehur drejtori i Postës Shqiptare, Majlind Lazimi, duke theksuar se nuk do të tolerohet askush. Sipas tij janë marrë të gjitha masat e nevojshme për të ofruar një shërbim cilësor ndaj qytetarit dhe për të shmangur çdo lloj abuzimi me detyrën. “Shumë punonjës janë dërguar për ndjekje penale gjatë kohës që kam marrë detyrën në drejtim të Postës Shqiptare, si edhe janë ngritur padi civile ndaj atyre që kanë shkaktuar dëme ndaj qytetarëve.


Prandaj, dua të siguroj publikun se nuk do të tolerojmë asnjë rast që abuzon me besimin dhe paratë e tyre. Duke filluar nga arkëtari dhe sportelisti i thjeshtë, postieri, apo deri në nivelet më të larta drejtuese të Postës Shqiptare. Nxis të gjithë qytetarët që të denoncojnë rastet abuzive në numrin pa pagesë që disponon prej kohësh drejtoria qendrore e Postës Shqiptare 080041 41, në mënyrë që të verifikojmë rastet dhe të marrim masa të menjëhershme”, ka deklaruar drejtori Majlind Lazimi. Ai ka theksuar se abuzimet me detyrën janë bërë gjatë viteve 2006-2013 dhe vetëm gjatë vitit të fundit janë evidentuar. Sipas tij, fakti që këto abuzime po bëhen publike pikërisht tani, nuk do të thotë se ato janë krijuar gjatë kësaj periudhe.


Qytetarët që rezultojnë debitorë nga 2006 në 2013
Drejtori i Postës Shqiptare ka folur edhe në lidhje me problemet që kanë hasur disa qytetarë, ku ndonëse kanë paguar energjinë elektrike, kanë rezultuar përsëri debitorë. Ai është shprehur se shkaktarja kryesore e kësaj çështjeje është OSHEE-ja, e cila nuk ka reflektuar pagesën në sistem. “Në lidhje me akuzat e ngritura ndaj Postës për pagesat e energjisë elektrike, dua të sqaroj opinionin publik se jemi duke rakorduar me OSHEE-në duke qenë se shumica e atyre që janë debitorë, rezultojnë për periudhën 2006-2013. Qytetarët kanë bërë pagesën në Postë, e cila sipas procedurës e ka transferuar atë për tek ish-CEZ, sot OSHEE, por kjo e fundit nuk e ka reflektuar pagesën në sistemin e saj, gjë që i bën ende këta qytetarë të figurojnë padrejtësisht debitorë. Pra, Posta Shqiptare, e mbaron detyrimin e saj ndaj qytetarit dhe partnerit të saj OSHEE, pasi bën pagesën përkatëse tek ai. Pas kësaj, ne nuk jemi më përgjegjëse për veprimet e OSHEE-së në sistemin e saj dhe as e fuqishme për të ndërhyrë në atë sistem”, sqaron drejtori i postës.


Ndërkohë, vetëm në filialin e Shkodrës janë rreth 320 raste të qytetarëve, të cilët i kanë paguar pranë postës detyrimet e energjisë elektrike, por rezultojnë debitorë. E njëjta situatë paraqitet edhe në filialin e Durrësit, ku nga muaji tetor 2014 dhe deri tani, Zyra e Shërbimeve ka evidentuar 101 raste ku ekziston i plotë dokumentacioni i pagesës së qytetarit si dhe kalimi i shumave të arkëtuara në llogarinë bankare të OSHEE-së, por nga kjo e fundit nuk janë bërë shkarkimet në sistem. Drejtori Majlind Lazimi bën me dije se të gjitha pagesat e kryera do të njihen, pasi janë të rregullta dhe i nxit qytetarët që të vijojnë të paguajnë energjinë elektrike.


Në lidhje me problemin e qytetarëve që rezultojnë debitorë, ndonëse kanë paguar faturat, është ngritur edhe një grup pune nga Posta Shqiptare. “Në lidhje me kamatëvonesat, ka shumë raste kur qytetarët kanë kryer pagesën mujore tek ne dhe për arsye të kamatëvonesave, OSHEE i klasifikon sërish si debitorë edhe pse Posta e ka kryer detyrën e saj. Në bazë të marrëveshjes që kemi me OSHEE-në, kjo e fundit nuk na lejon që të arkëtojmë kamatëvonesat dhe për këtë arsye, qytetarët nuk mund të paguajnë pranë zyrës postare kamatëvonesat, por vetëm detyrimet mujore. Kemi ngritur një grup pune dhe besojmë se do ta zgjidhim këtë çështje brenda një kohe të shkurtër”, nënvizoi drejtori i postës, Lazimi.


Më të lexuarat