Perfshirja ne TVSH: Biznesi i vogel ul xhiron, tatimet nisin fushaten antiinformalitet
Vendosja e pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë ka stepur bizneset e vogla për të deklaruar xhiron reale të tyre.
Fenomeni është vënë re edhe nga Administrata Tatimore, e cila ka nisur sërish fushatë antiinformalitet, duke vendosur gjoba për shkelësit. Të dhënat tregojnë se në 11 muaj, mbi 13 mijë biznese kanë kaluar në statusin pasiv, rreth 64% më shumë se një vit më parë. Evazion apo luftë për mbijetesë? Edhe ekonomistët pohojnë se bizneset të cilat nuk u përfshinë në skemën e TVSh-së me ndryshimin e pragut po përpiqen që të deklarojnë më pak qarkullim se një vit më parë. Vendosmëria e bizneseve të vogla për të mos kapërcyer pragun është ndier dhe nga bizneset e mëdha. Saimir Begaj, përfaqësuesi i kompanisë “Erzeni”, thotë se po has vështirësi me shpërndarjen e produkteve të kompanisë së tij te pakica, ku një pjesë e tyre refuzojnë mallrat me faturë. Restorantet, apo bizneset e shërbimit, janë ato që shfaqin rezistencën më të madhe.
Rënia e xhiros nuk ka kaluar pa u vënë re as nga Administrata Tatimore, e cila ka nisur sërish një tjetër fushatë antiinformalitetet në terren. Sipas deklarimeve zyrtare, nga monitorimi i vazhdueshëm, Administrata Tatimore ka vënë re se ka tatimpagues aktivë me rënie në xhiron e deklaruar në kasat fiskale, krahasuar me periudhat paraardhëse. Tatimet kanë bërë thirrje që tatimpaguesit do të duhet që të vetëkorrigjojnë raportimet, duke reflektuar aktivitetin real që ushtrojnë. Administrata Tatimore ka njoftuar se, të gjitha rastet kur tatimpaguesit kanë deklaruar një xhiro më të vogël, do të trajtohen nëpërmjet sektorit të Kontrollit në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, nëpërmjet thirrjeve në zyrë, vizitave në terren, vizitave fiskale në raste të veçanta, si dhe nëpërmjet çdo rruge tjetër komunikimi që do t’i shërbente përmirësimit të raportimit të qarkullimit me pajisje fiskale.
Administrata Tatimore ka konstatuar edhe tatimpagues, të cilët rezultojnë se nuk kanë transmetuar rregullisht shitjet e tyre ditore. Tatimpaguesit duhet të vënë në dijeni Administratën Tatimore në lidhje me shkaqet, për të cilat nuk është bërë transmetimi, si dhe të marrin masa për të rregulluar problemin. Në rast se tatimpaguesit nuk përmirësojnë deklarimet e tyre, Administrata Tatimore “kërcënon” se ata do të bëhen objekt i kontrolleve. Ahmet Gjinishi, kontabilist dhe konsulent fiskal, thotë se gjatë punës së tij ka vënë re disa biznese të cilat janë “në pikë të hallit” dhe që mund të kalojnë pragun për shumë pak. Sipas tij, këto biznese po mundohen të rezistojnë në këtë periudhë të shkurtër që ka mbetur nga ky vit ushtrimor. Ky shqetësim është vërejtur edhe nga biznesi i madh duke qenë se bizneset e vogla refuzojnë furnizimet të shoqëruara me fatura tatimore./Monitor