Makinat e perdorura rekord importi: Rritet me 39 perqind numri i tyre gjate nentorit
Vendimi për ndalimin e importit të automjeteve më të vjetra se 10 vite prodhimi ka nxitur tregtarët e makinave që të importojnë masivisht përpara datës 2 Dhjetor.
Kjo lëvizje e tregtarëve tashmë reflektohet mjaft mirë edhe te shifrat zyrtare. Sipas të dhënave të tregtisë së jashtme, të publikuara nga Instituti i Statistikave, zëri i importit të mjeteve të transportit gjatë Nëntorit, muaji i fundit kur mund të importonin makina më të vjetra se 2009-a, ka prekur vlerën më të lartë në histori. Muajin e kaluar u importuan rreth 5 miliardë lekë mjete transporti, nga 4.6 miliardë lekë të muajit Tetor, pra në rritje me 8.7%, dhe nga 3.6 miliardë e Nëntorit të vitit të kaluar, në rritje me 38.8%. Një shifër e tillë nuk është regjistruar asnjëherë, ose të paktën që prej vitit 2005 kur edhe filloi matja dhe raportimi i këtyre të dhënave.
Ndër vendet që kanë një treg të madh importi në automjetesh në Shqipëri, rritja më e madhe regjistrohet për Gjermaninë, nga 1.6 miliardë lekë në Nëntorin e 2017-ës, në 2.1 miliardë lekë në Nëntorin e 2018-ës, pra në rritje me 31%, si dhe me Italinë, nga 664 milionë në 1.1 miliardë, në rritje me 66%. Edhe Shtetet e tjera si, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika apo Austria regjistrojnë një rritje të konsiderueshme. Pra, të dhënat tregojnë qartë se tregtarët kanë shfrytëzuar ditët e fundit përpara hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për të krijuar stok të makinave të vjetra. Nga data 2 Dhjetor e këtij viti është i pamundur importi i makinave më të vjetra se viti 2009. Ky vendim do të shkaktojë një rikonfigurim të tregut të makinave të përdorura./Scan