Zgjedhjet lokale 2015, kater kryebashkiaket qe PS nuk do ti rikandidoje
Edhe pse është ende herët që partitë politike të dalin me emra konkretë për kandidatët që do të garojnë për 61 bashkitë e reja në zgjedhjet lokale të 21 qershorit, brenda së majtës janë piketuar kryebashkiakët, të cilët nuk do të propozohen më nga e majta.
Përtej dëshirës së tyre dhe gatishmërisë që strukturat e partisë t’i propozojnë sërish, me sa duket surprizat nuk do të mungojnë në listat e kandidatëve që do të propozohen për zgjedhjet vendore të qershorit. Burime pranë së majtës kanë konfirmuar se deri më tani katër kryebashkiakët që nuk do të jenë në listat e PS-së për kryebashkiakë të 61 njësive të reja do të jenë pikërisht ata që kanë edhe më shumë mandate në këtë post. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Gjirokastrës, Flamur Bime, të Vlorës, Shpëtim Gjika, si dhe të Fierit, Baftjar Zeqaj. Ndërkohë që shumë gjasa ka që edhe kryebashkiaku i Elbasanit, Qazim Sejdini, të jetë mes emrave që nuk do të kandidohen më si krerë bashkish.
Kryebashkiakët që nuk do të rikandidojnë:
Flamur Bime – Kreu aktual i Bashkisë së Gjirokastrës, në zgjedhjet vendore të 2011 ka marrë mandatin e tretë si kryebashkiak. Që nga 2003 është në këtë detyrë.
Baftjar Zeqaj – Në Fier, kryetari i bashkisë, Baftjar Zeqaj, nga zgjedhjet vendore të 2011-s ka fituar mandatin e tetë të tij si drejtues i bashkisë.
Shpëtim Gjika – Në Bashkinë e Vlorës, kryebashkiaku Shpëtim Gjika është duke ushtruar mandatin e tretë si kryebashkiak të fituar pas zgjedhjeve të 2011-s.
Qazim Sejdini – Në zgjedhjet lokale të 2011-s kreu i Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, fitoi mandatin e dytë si drejtues i kësaj bashkie nën koalicionin e majtë.
Katër prej kryebashkiakëve të majtë kanë nga tre mandate në krye të bashkive më të mëdha në vend, konkretisht Gjika, Zeqaj dhe Bime, ndërsa vetëm Sejdini është duke ushtruar aktualisht mandatin e dytë në krye të një prej bashkive më të mëdha në vend. Fakti që këta kryebashkiakë kanë kaluar një periudhë të gjatë drejtimi në këto bashki, do të bëjë që vendin e tyre ta zënë eksponentë të majtë të njohur për kontributet e tyre në parti.
Gjithsesi, brenda së majtës ende nuk ka emra konkretë për zëvendësimin e katër kryebashkiakëve të majtë, të cilët për hir të së vërtetës do të mbahen mend për kontributet e tyre në drejtimin e katër bashkive më të mëdha në vend. Shumë prej kryebashkiakëve kanë mbi 10 vite si drejtues lokalë e kjo është arsyeja që PS-ja po kërkon që të paraqesë kandidatë të rinj për katër bashkitë e Vlorës, Fierit, Elbasanit dhe Gjirokastrës.