
Tkurret sistemi bankar: Rritet perqendrimi, numri i bankave pritet te ulet ne 13
Sistemi bankar po kalon një proces të rëndësishëm ristrukturimi, të shoqëruar me pakësim të numrit të bankave dhe hyrje të investitorëve të rinj në treg.
Në muajin nëntor, Union Bank nënshkroi marrëveshjen për blerjen e aksioneve të një prej bankave të vogla në vend, Bankës Ndërkombëtare Tregtare, apo siç njihet ndryshe Banka Malajziane. Kjo është shitja e gjashtë e një banke tregtare në Shqipëri brenda një harku kohor prej tre vjetësh. Ky proces ka qenë një ndikim i drejtpërdrejtë i krizës së gjatë ekonomike, që ka ndryshuar rrënjësisht strategjitë e shumë investitorëve të huaj. Për shkak të rënies së përfitueshmërisë dhe rritjes së kërkesave për kapital nga Autoritetit Mbikëqyrëse, shumë grupe europiane kanë zgjedhur të largohen prej tregjeve jashtë Eurozonës.
FMN: Shitblerjet, proces me rreziqe
Cikli i shitblerjeve në sistemin bankar ka ngjallur shqetësim te Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN). Në deklaratat e fundit për vendin tonë, misionet e FMN kanë kërkuar me këmbëngulje që ky proces të jetë i mbikëqyryur me rreptësi dhe të mos lejohet hyrja në treg e investitorëve pa përvojë. Sipas FMN, konsolidimi dhe shitja e aktiveve nga bankat me pronësi evropiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre. Ndaj, FMN sugjeron se do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Presioni i FMN-së është një nga arsyet pse grupi Balfin u detyrua të hyjë në partneritet me bankën maqedonase Komercijalna Banka për të blerë Tirana Bank.
Sejko: Përqendrimi e forcon sistemin
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mendon se përqendrimi do ta bëjë më të fortë sistemin bankar shqiptar dhe se shitja e bankave është një fenomen që po ndodh në gjithë rajonin. Pas krizës, shumë nga bankat europiane, kryesisht ato që operojnë në Eurozonë dhe që kanë filialet e tyre në vendet e lindjes, si pasojë e kushteve shtrënguese të Bankës Qendrore Evropiane, kanë qenë të detyruara ose të rrisin kapitalin, ose të vazhdojnë me procesin e zvogëlimit, pra të mbylljes të disa degëve ose filialeve të tyre në disa shtete. Në mungesë të injektimit të fondeve për të shtuar normën e mjaftueshmërisë së kapitalit, këto banka janë detyruar të tërhiqen nga rajoni.
Ai ka theksuar se banka qendrore nuk ndërhyjmë në procesin e shitblerjes së aksioneve të bankave dhe ai është një proces i lirë, ku vetë bankat zgjedhin procesin e tyre të tenderimit për të gjetur blerësin më të mirë. Megjithatë, Guvernatori ka siguruar vazhdimisht opinionit publik se Banka e Shqipërisë, në përputhje të plotë me mandatin e saj ligjor, do të ushtrojë me përpikmëri dhe rreptësi rolin e saj rregullator dhe mbikëqyrës, duke garantuar që aktorët e rinj në treg të përmbushin plotësisht kërkesat regulative dhe ligjore të përcaktuara, e duke ruajtur të pacenueshëm stabilitetin financiar të vendit./Scan
Më të lexuarat









