Secondary Adv

Nga 1 shkurti, burg per ndertimet pa leje

Personat që kapen duke ndërtuar pa leje, edhe pse janë në pronën e tyre, duke nisur nga 1 shkurti i këtij viti do të përballen me burgun.


Tashmë në Fletoren Zyrtare janë botuar ndryshimet në Kodin Penal, ku përcaktohet se ndërtimi pa leje dhe bashkëpunimi në ndërtim do të konsiderohet vepër e rëndë penale dhe do të dënohet nga 1 deri në 8 vite burg.


Referuar ndryshimeve të miratuar, ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar në tokën në pronësi të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet.
Po kjo vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda apo e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet. Ndryshimet ligjore nuk kanë lënë pa përcaktuar edhe ndëshkime për kompanitë që marrin pjesë në këtë shkelje.


Cilido që ofron dhe kryen shërbime sipërmarrjeje, mbikëqyrjeje, zbatim punimesh në një ndërtim të paligjshëm, dënohet me burgim deri në 3 vjet. Synimi i këtyre masave të ashpra është ai i dhënies fund të ndërtimeve pa leje në vend. Paralelisht me ashpërsimin e masave, në mbarë vendin po zhvillohet një operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje.


Dënimi për ndërtimin pa leje
•    Ndërtimi pa leje ose në shkelje të lejes në tokë në pronësi të vet, burgim deri në 1 vit.
•    Ndërtimi pa leje ose në shkelje të lejes, kryer në tokën publike ose të tjetrit, burgim 1-5 vjet.
•    Kur ndërtimi pa leje është kryer për qëllime fitimi, burgim nga 3 deri në 8 vjet.
•    Ofrimi i shërbimit të sipërmarrjes, zbatimit të punimeve në ndërtim pa leje, burgim deri 3 vjet.


Më të lexuarat