Rritet paga minimale: Bizneset qendrime te ndryshme, fasoni me i prekuri
Rritja e pagës minimale nga 24 në 26 mijë lekë duket se do prekë më shumë sektorin fason, të cilët shesin punë dhe jo produkt final, si dhe sipërmarrjen prodhuese.
Megjithatë një pjesë e aktorëve të tregut thonë se rritja e pragut minimal nuk do të ketë ndikim pasi pjesa më e madhe e të punësuarve paguhen mbi këtë prag. Biznesi fason, i cili ka si avantazh kryesor krahun e lirë të fuqisë punëtore, e quan këtë rritje si një faktor shtesë që do të ndikojë negativisht në aktivitetin e tyre. Ditën e djeshme Dhoma e prodhuesve të Veshjeve u ankua se rënia e euros dhe vonesat në rimbursimin e TVSH-së po e dëmtonin ndjeshëm aktivitetin e tyre. Ndërsa në darkë erdhi dhe njoftimi i pakonsultuar më parë për rritjen e pagës minimale.
Florian Zekja, përfaqësues i kompanive fason tha se ky vendim do të ndikojë në kostot e ndërmarrjeve. “Ne do të duhet të ngrejmë pagat për të gjithë të punësuarit në ndërmarrjet fason dhe në të njëtën kohë do të rriten edhe pagesat për kontributet. Është një efekt domino që na vështirëson përllogaritjen e kostove në kontrata tona,”- tha Zekja për Monitor. Për Alban Zusin, kryetar i Shoqatës së Industrialistëve Ushqimorë, ky vendim do të ulë konkurrueshmërinë e bizneseve dhe do të ulë investimet. I kontaktuar nga “Monitor”, Zusi tha se qeveria nuk është konsultuar, dhe se ky vendim godet biznesin prodhues dhe eksportuesit. “Bizneset po detyrohen që të rrisin pagën artificialisht. Automatikisht po krijohet një kosto ekstra për kompanitë.
Skënder Pashaj, administrator i kompanisë së këpucëve Fital, i kontaktuar nga Monitor tha se rritja e pragut të pagës minimale është e drejtë, por qeveria duhet të ishte konsultuar paraprakisht me grupet e interesit për këtë vendim. “Edhe në kërkojmë që të rriten rrogat e punëtorëve dhe kjo rritje me 2 mijë lekë nuk është një tragjedi për sektorin tonë, por duhet të ishin në dijeni duke qenë se ne punojmë me kontrata dhe përcaktojmë çmimet në varësi të kostove. Problemi jonë i vetëm është rënie e pashpjegueshme e euros dhe jo rritja e pagave,”- tha Pashaj. Qeveria vendosi në mbledhjen e saj të fundit rritjen e pragut të pagës minimale në 26 mijë lekë dhe ky vendim do të hyjë në fuqi menjëherë pas 1 janarit./Monitor