Universitetet ne kaos - Ngujimi e protestat shtrihen ne cdo fakultet
Jeta universitare në Tiranë ka hyrë në bojkot të plotë, pasi nisma e studentëve të Ekonomikut dhe Juridikut për t’u ngujuar brenda godinës, është përqafuar edhe nga fakultete të tjera.
Pavarësisht përplasjeve të dhunshme me policinë disa ditë më parë, apo presioneve dhe thirrjeve që u janë drejtuar nga administratorët apo edhe vetë kryeministri Edi Rama, studentët duken të vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e tyre, për transformim të Arsimit të Lartë. Në fakultetin e Drejtësisë shënohet dita e 5- të e ngujimit, me derën kryesore që vijon të mbetet e bllokuar nga studentët me karrige për të mos lejuar hyrjen e rojeve private apo Policisë së Shtetit. Ndërkohë, paraditja e sotme ka pasur një panoramë ndryshe te Politekniku, ku ka nisur ngujimi i studentëve, të cilët shprehen se do të qëndrojnë aty derisa të plotësohen kërkesat. Të rinjtë aty kanë përzënë rojet private të godinës, duke mbyllur nga brenda derën kryesore të Korpusit.
Gjendja paraqitet e njëjtë edhe në fakultete të tjera si Mjekësia, ku prej mbrëmjes së djeshme studentët janë ngujuar, madje në foto shihen edhe me maska në fytyrë. Në fakultetin e Arkitekturës, studentët kaluan natën të ngujuar, teksa nga fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale shihet se kanë shtruar batanije në holl ku po vijojnë qëndresën. Por, ata kanë lënë të lirë derën për të gjithë ata studentë që duan të vijojnë mësimin. Studentët e Filologjikut kanë protestuar brenda fakultetit, duke nxjerrë karriget dhe tavolinat në korridor dhe kanë bërë thirrje për bojkot masiv të mësimit. Ata kanë bërë edhe pankarta, të cilat i kanë ngjitur në mure, madje duke bllokuar dhe hollin e fakultetit, që e kanë kthyer në një arenë diskutimi mbi ligjin e Arsimit të Lartë dhe format e rezistencës.
Në fakultetin Ekonomik dyert janë të hapura prej pasdites së djeshme, kur studentët morën vendimin për të vijuar ngujimin, ndërsa numri i tyre është rritur, pasi u janë bashkuar edhe studentë të tjerë. Edhe te Shkencat e Natyrës ka bojkot dhe protestë. Rreth 100 studentë nëpërmjet vuvuzelave dhe thirrjeve për bashkëmoshatarët e tyre, duket se e kanë bërë të pamundur zhvillimin e mësimit në këtë fakultet. Formës së protestës që po aplikohet në Tiranë, me bojkot dhe ngujim i janë bashkëngjitur edhe studentët e Elbasanit, të cilët kanë protestuar me pankarta në duar brenda në godinën e universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Sipas tyre, protestat do të vazhdojnë për shkak se ulja e tarifës së vendosur nga qeveria nuk përfshin masterin./Shqip