Secondary Adv

Sigurimet e papaguara, bizneset afat deri me 15 shkurt, ndryshe burg

Ministri Veliaj ka lënë afat për bizneset deri më 15 shkurt, në mënyrë që të kenë mundësi të shlyejnë pagesat e vonuara të sigurimeve shoqërore pa penalitete që parashikojnë edhe burgun. Detyrimet e buxhetorëve do të shlyhen deri më 31 mars.


Bëhet fjalë për një shumë prej 87.6 milion dollarësh. Në letrën e tij, drejtuar bizneseve, Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, bën me dije se me hyrjen në fuqi të skemës së re të pensioneve, reforma është në rrugë të mbarë, por ende kjo politikë nuk mjafton për t’iu siguruar pensione dinjitoze atyre që e përfitojnë atë. 


Ja si janë krijuar detyrimet.
“Që nga kjo javë, kompanitë që nuk kanë derdhur sigurimet për punonjësit, do të lajmërohen për të paguar detyrimet, në rast të kundërt, pas 15 shkurtit do të ketë sanksione”, – tha dje ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. “Nëse dikujt i është mbajtur nga rroga 9,5 % për të paguar sigurimet shoqërore dhe kjo nuk është derdhur pranë tatimeve për hesap të sigurimeve shoqërore, kjo është një vjedhje. Është njësoj sikur dikujt nga xhepi t’i marrin 9,5 % të portofolit. I kanë vjedhur 9,5 % të parave për sa kohë që nuk i ka në rrogën e vet”, – tha ministri.
Ai lajmëroi se të gjitha kompanitë duhet të nxitojnë të paguajnë dhe ta konsiderojnë këtë kohë, një fazë ku mund të shlyejnë të gjithë detyrimet e tyre brenda datës 15 shkurt. “Pas datës 15 shkurt do të nisë një fushatë sanksionesh, e cila nuk do të ndalet, ashtu siç ka qenë fushata e energjisë”, – tha Veliaj. “Ju garantoj se për këtë fushatë kemi mbështetjen e të gjithë biznesit të shëndetshëm dhe të ndershëm në Shqipëri, që është në fakt shumica e biznesit. E them këtë sepse shumica e biznesit që punon, përfshi edhe faturën e sigurimeve shoqërore, prodhon një produkt që është më i shtrenjtë, krahasuar me një tjetër biznes që prodhon duke hequr faturën e sigurimeve shoqërore”, – shtoi ai.


“Prandaj duke qenë se kemi miratimin e pjesës dërrmuese të biznesit të ndershëm, kërkojmë që të gjithë të tjerët të vendosen në një nivel të barabartë për të respektuar garën brenda biznesit, por kryesisht për të ruajtur të drejtat e punëtorëve dhe për të kuptuar që në Republikën e Shqipërisë në vitin 2015 nuk mund të punohet më në mënyrë skllavërore”, – tha ai, duke shtuar se në 8 vitet e fundit në Shqipëri është bërë një rrumpallë me një faturë financiare 109, 5 milionë dollarë.


“Minimumi që dikush do duhej të bënte, ishte që të kërkonte ndjesë ose të mos fliste fare. Por, të shikosh se si krenohen me qeverisjen e arritjeve imagjinare dhe të shikosh se si mohojnë çdo gjë që ka të bëjë me mënyrën se si u qeveris ky vend, kur shteti punonte në të zezë, – tha ministri. – Ne kemi patur 1600 institucione që kanë punuar në të zezë. 250 mijë shqiptarë në shtet dhe në privat kanë boshllëqet në pensionet e tyre. Disa boshllëqe janë vetëm një muaj vonesë pagese. Disa të tjerë janë disa muaj dhe disa të tjerë janë disa vite, ndërsa disa institucione spektakolare nuk i kanë paguar për 8 vjet gjatë qeverisë së kaluar. Ajo që kemi bërë është që pasi kemi bërë një filtrim të këtij materiali, po i përcjellim dosjet Prokurorisë dhe shumë shpejt shpresojmë që bashkëpunimi me Prokurorinë do të japë frytet e veta për të treguar që ata që kanë përgjegjësi për këtë krim ekonomik të dalin përpara ligjit”, – tha ministri i Mirëqenies Sociale.


Veliaj zbardhi edhe skemën se si është krijuar debia. Fondi i pagave lirohet në fillim të vitit. Nëse kemi pasur zgjedhje në qershor ose në korrik, çka do të thotë që është përdorur fondi ekzistues i pagave për të shtuar me 200 apo 300 njerëz.


Në pamundësi për të pasur rroga për këta njerëz është përdorur fondi i sigurimeve shoqërore, për të bërë qokat e punësimeve 2-3 mujore në fushatë. 2-3 muaj, këta kanë punuar në të zezë sepse s’kanë sigurime shoqërore, se me ato para janë paguar rrogat e militantëve, por në fakt kanë ngrënë dhe sigurimet shoqërore të atyre që në kushte normale kishin kontrata afatgjata me këto ente publike. Qeveria ka marrë angazhimin të shlyejë detyrimet e sektorit buxhetor deri më 31 mars, ndaj deri më 15 shkurt të gjitha bizneset do të duhet që të kenë bërë aranzhimet e tyre për të paguar vonesat e sigurimeve shoqërore.


Më të lexuarat