Zonat e biznesit ne Shqiperi: Per here te pare projektligj per permiresimin e tyre
Shqipëria, sot ka disa zona të njohura si zona për përmirësimin e biznesit (BID), të mbështetura me disa projekte nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan.
Por, deri më tani, këto modele të ngritura në Korçë, Shkodër, Berat, Tiranë kanë funksionuar në bazë të një marrëveshje me AADF ndërkohë që së fundmi është nxjerrë për konsultim një projektligj që rregullon kuadrin ligjor për zonat BID. Sipas relacionit, një zonë BID duhet të kuptohet si një zonë e veçantë, ku bizneset vetorganizohen me synimin për një menaxhim më cilësor të saj, në lidhje me shërbimet publike bazë të ofruara dhe për shërbime shtesë që mundësohen nga ky vetorganizim sipas konceptit BID. Qëllimi i projektligjit është të prezantojë e të vendosë rregulla për Përmirësimin e Zonave të Biznesit (Business Improvement Districts ‘BID’), të cilat si struktura ligjore kanë emra dhe karakteristika të ndryshme në juridiksione të ndryshme të huaja.
Hartuesit e projektligjit nënvizojnë se janë katër karakteristikat që përkufizojnë një zonë BID. Së pari, autoriteti i tyre për të vepruar mbështetet në ligj; mbështetja ligjore e shprehur ndihmon legjitimitetin e konceptit të ri BID. Së dyti, drejtohen nga sektori privat, por përkrahin parime të bashkëpunimit me pushtetin vendor. Së treti, aktivizojnë përdorimin e fondeve private të konsiderueshme, të cilat më përpara shfrytëzoheshin pak. Së katërti, shtojnë bazën e fondeve në mënyrë që të gjitha palët e interesuara mund të japin edhe më shumë kontribute. Ndër specifikat që sanksionohen në projektligj është ai lidhur me mënyrën sesi funksionojnë dhe afatet e tyre.
Kështu BID krijohet për një afat të caktuar, siç përcaktohet në prospektin BID, por në çdo rast me një afat jo më pak se 3 vjet dhe jo më shumë se 7 vjet, me të drejtë ripërtëritje. Projektligji saktëson mënyrën e marrjes së informacionit nga bashkia lidhur me propozimet për BID nga palë të jashtme ndërkohë që edhe vetë bashkitë mund të jenë propozues të zonave për përmirësimin e biznesit. Aspekti i burimeve të financimit është një tjetër pjesë që zë vend në projektligj, ku saktësohet se kuotat e biznesit brenda zonës BID janë burimi i parë, por atyre mund t’ju shtohen edhe financimet nga bashkia respektive, fonde nga donatorë privatë apo nga qeverisja qendrore./Monitor