Secondary Adv

Sektori i ndertimit lulezon serish: Shtohen ndertimet por ulet kerkesa

Sektori i ndërtimit ka lulëzuar sërish në Tiranë, por pavarësisht krijimit të vendeve të punës, me shtimin e kullave dhe rezidencave të reja rrezikohet mbiofertë.

 

Eksperëtët dhe aktorët e tregut janë shprehur për “Monitor” se do të ketë ecuri pozitive për shitjet në zonat me çmime mesatare nga 700-900 euro për metër në katror, por parashikohet stanjacion për ndërtimet në qendër të Tiranës dhe kullat. Edhe pse ndërtuesit presin që kërkesa të jetë e vakët, taksat e larta nuk do t’i lejojnë ata të ulin çmimet, ndërsa qytetarët kërkojnë të blejnë apartamente me kosto të ulët. Por flluska e sapunit në këtë sektor do të fryhet më tepër edhe prej trendit të emigracionit që ka përfshirë vendin, me familjet e reja që kryesisht po zgjedhin të largohen nga Shqipëria për një jetë më të mirë. Gjatë 2017-s në Tiranë u lidhën 5900 martesa të reja, sipas INSTAT, sa gati çereku i martesave në të gjithë Shqipërinë.   

 

Çiftet e reja janë ndër grupet kryesore që përbëjnë klientët potencialë për firmat e ndërtimit, por sipas aktorëve kryesorë të tregut, ato kërkojnë oferta me çmime ekonomike. Sipas Rudina Murati, drejtore e marketingut dhe e shitjeve në firmën e ndërtimit Orion, çiftet e reja kanë qenë një prej grupeve kryesore të blerësve në projektin e tyre Toëer Bridge 3, pranë Shkollës së Bashkuar. Me një çmim 810-850 euro për metër në katror, ajo thotë se arritën t’i mbyllnin shitjet gjashtë muaj para finalizimit të projektit, i cili kishte 277 apartamente banimi. Ndërkohë që presin të ndërtojnë edhe një godinë tjetër me 90 apartamente banimi në po atë projekt. Ajo e cilëson 2018 një vit të suksesshëm për sa u përket shitjeve dhe thotë se pjesa më e madhe e shitjeve në atë projekt janë kryer nëpërmjet financimit nga banka me kredi. 

 

Sipas të dhënave të INSTAT, për 9-mujorin janë dhënë gjithsej 268 leje ndërtimi në kryeqytet, me një rritje prej 38% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Bashkia e Tiranës pret të arkëtojë 3.7 miliardë lekë (30 milionë euro) në 2018-n nga taksa e infrastrukturës për ndërtimet e reja. Edhe në 2019-n, parashikohet të mblidhen nga kjo taksë (që është kryesisht sa 8% e çmimit të shitjes) rreth 4 miliardë lekë, që i korrespondon një volumi ndërtimi prej 50 miliardë lekësh, ose rreth 400 milionë eurosh. Për banorët e Tiranës, blerja e një prone në 2019-n do të jetë më pak e përballueshme. Portali më i madh i të dhënave mbi kostot dhe cilësitë e jetesës e vlerësoi në rritje, për herë të parë pas dy vitesh, raportin e çmimit ndaj të ardhurave të disponueshme të individëve në qytetin e Tiranës. Sot të blesh një shtëpi në qytetin e Tiranës kushton më shtrenjtë se gjatë vitit që lamë pas./Shqip


Më të lexuarat