Ekonomia ne rritje, por deri ne 2022 parashikohet ulje e shpenzimeve buxhetore
Shpenzimet buxhetore në raport me madhësinë e ekonomisë do të vijnë në ulje në periudhën afatmesme.
Për shkak se ekonomia është parashikuar të rritet me mbi 4 për qind në katër vitet në vijim 2019-2022, të ardhurat dhe shpenzimet shpenzimet buxhetore ne raport me PBB-ne do të vijnë në ulje. Ministria e Financave në projeksionet e fundit për treguesit buxhetor që u publikuan këto ditë, pret që shpenzimet buxhetore nga 30 % e PBB-së që pritet të arrijnë në fund të vitit 2018 do të zbresin në 28.8 për qind në vitin 2022. Shqipëria prej vitesh vuan nga simptoma ku ekonomia rritet, por të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore nuk e ndjekin ketë ritëm.
Sipas përllogaritjeve të fundit më 2018 të ardhurat buxhetore do të arrijnë me 28% të PBB-së, por gjatë 2019-2022 ky program vjen me ulje. Nga ky vit deri me 2022 të ardhurat buxhetore në optimalen e tyre do të jenë 27.8 e PBB-së, por me shumë gjase nëse parashikimi i fillimvitit nuk do të realizohet siç ka ndodhur tre vitet e fundit të ardhurat në raport me PBB-në do të jenë edhe më të ulëta. Të ardhurat totale të buxhetit për tri vitet në vijim (2020–2022) parashikohet të rriten mesatarisht me rreth 6.5 për qind në çdo vit. Të ardhurat tatimore për këtë periudhë parashikohen me një rritje mesatare vjetore prej rreth 6.9 për qind. Ndërsa burimet totale të qeverisë për t’u shpenzuar gjatë viteve 2020–2022 pritet të jenë mesatarisht në rreth 554 miliardë lekë në çdo vit ose mesatarisht rreth 27.8 për qind e PBB-së.
Investimet publike janë programuar të mbahen në një nivel mesatarisht prej rreth 5 për qind të PBB-së në çdo vit. Kuadri i ri fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.6 për qind të PBB-së për 2020, nga 1.9 për qind i programuar për vitin 2019; nivel prej 1.2 për qind të PBB-së më 2021; dhe 1.1 për qind në vitin 2022. Njëkohësisht pritet vijimësia e balancës primare pozitive dhe në rritje për vitet 2020–2022, respektivisht 0.9 për qind më 2020 nga 0.5 për qind i targetuar në buxhetin 2019; 1.5 për qind më 2021; dhe 1.5 për qind në vitin 2022./Monitor