Importi i plastikes shifra rekord ne 2018: 26 miliarde leke per 95 tonelata
Ndërkohë që qeveria po bën përpjekje për të ulur ndjeshëm përdorimin e plastikës, importet e plastikës si lëndë e parë kanë prekur një rekord të ri historik në vend.
Të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme, tregojnë se, përgjatë 2018-ës, në Shqipëri u importuan plot 95 tonelata plastikë, nga 86 tonelata të vitit paraardhës. Në vlerë monetare ndërkohë, flitet për 26 miliardë lekë, nga 24.8 miliardë lekë të vitit paraardhës. Në të dyja rastet, si në peshë, ashtu edhe në vlerë, kemi të bëjmë me një rekord historik. Plastika është një ndër armiqtë numër një të ambientit dhe në nivel botëror prej vitesh ka filluar një luftë ndaj këtyre produkteve. Në Shqipëri ndërkohë kanë filluar lëvizjet e para, që prej ndalimit të përdorimit të qeseve plastike nga disa bashki, si ajo e kryeqytetit, apo me ndryshimet fiskale për ambalazhet plastike. Në shifrën e përgjithshme të plastikës dhe produkteve të saj që janë importuar në vendin tonë, nuk figuron aspak plastika e konfeksioneve të ndryshme, por vetëm ajo si lëndë e parë, çka do të thotë se stoku i plastikës në vend, i magazinuar por edhe i hedhur tashmë si mbeturinë, është shumë më i lartë./Scan