Secondary Adv

Sherbimi mjeksor: 60 perqind e shqiptareve pa sigurime shendetesore

Më shumë se gjysma e qytetarëve shqiptarë nuk kanë asnjë formë të sigurimit shëndetësor. 

 

Sipas anketës së bërë nga INSTAT dhe ISHP, konkretisht 62% e femrave dhe 64% e meshkujve raportojnë se nuk kanë asnjë lloj sigurim shëndetësor. Shifra është tejet e lartë, dhe tregon informalitetin në tregun e punës dhe kontributin e ulët në skemë. Raporti evidenton se sistemi i kujdesit shëndetësor në Shqipëri është kryesisht publik dhe praktika private është e kufizuar. Në mesin e grave 15-49 vjeç, 32% janë të mbuluara nga sigurimi shëndetësor shtetëror dhe 14 % janë të mbuluara nga programi i sigurimeve shoqërore. Mes meshkujve të njëjtën moshë mbulimi është më i ulët, konkretisht: 29% mbulohen nga fondet shtetërore dhe 9% nga programi i sigurimeve shoqërore. Ekzistojnë dallime të mëdha gjeografike në mbulimin me sigurime shëndetësore midis meshkujve dhe femrave. 

 

Kështu, vetëm 13% e burrave dhe grave në prefekturën e Kukësit mbulohen nga sigurimet shëndetësore shtetërore ose nga kontributet shoqërore e shëndetësore ndërsa në Tiranë 68% e grave dhe 50% e meshkujve gëzojnë mbulim të tillë shëndetësor. Sigurimi shëndetësor i sponsorizuar nga shteti përcaktohet fuqishëm nga arsimi dhe të ardhurat. Vetëm 17% e meshkujve dhe femrave me arsim fillor 4 vjeçar ose më pak, janë të siguruar, krahasuar me 84% të grave dhe 69% të meshkujve me universitet ose arsim pasuniversitar. Por pavarësisht mungesës së sigurimit, Fond i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor mbulon me shërbim edhe individët që nuk kontribuojnë në skemë. Ndërkohë, referuar shifrave zyrtare, në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kontribuojnë rreth 763 mijë kontribuues./Scan 


Më të lexuarat