Secondary Adv

Ujesjellesit ne 2018 - ERRU: Perkeqesohet kohezgjatja dhe furnizimi me uje te pijshem

Në çdo 100 litra ujë, 64.4 e tyre humbasin duke mos sjellë asnjë të ardhur për ujësjellësit.

 

Enti Rregullator i Ujit publikoi raportin vjetor 2018, duke marrë në analizë 42 shoqëri të licencuara të ujësjellës-kanalizimeve në vend dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm të treguesve të sektorit. Në raport me një vit më parë, humbjet janë ulur me rreth 2%, por sërish mbeten të larta dhe Enti nënvizon se përmirësimi duhet të merret me rezerva. “Uji Pa të Ardhura ka një përmirësim me 2%, por ende mbetet në nivele të larta. Për vitin 2018 mesatarisht prodhohet 304 litra ujë në ditë për frymë, ndërkohë që faturohet 107 litra. Performanca pozitive e këtij treguesi duhet marrë me rezervë, sepse llogaritja e tij bëhet në baza vlerësimi (jo matje) për shkak të mungesës në përgjithësi të matëseve të ujit në burim” thuhet në raport.

 

Të dhënat zyrtare reflektojnë përkeqësim, edhe pse të lehtë, të dy treguesve. Së pari mbulimi me furnizimin me ujë që në vitin 2017 ishte 78.3% dhe në vitin 2018 shënoi nivelin 78.2%. Nga ana tjetër, furnizimi me ujë në orë brenda një dite shënoi në vitin 2018 një nivel prej 11.65 orë kur një vit më parë ky nivel ishte 12 orë. “Mbulimi me Furnizimin me Ujë ka një përkeqësim të vogël me 0.09% krahasuar me vitin 2017. Popullsia në juridiksion ka shënuar rritje me rreth 292.579 banorë dhe nga ana tjetër dhe popullsia e shërbyer është rritur me rreth 226.910 banorë. Përkeqësimi argumentohet me përfshirjen në zonën e shërbimit të shoqërive UK të riorganizuara të mjaft zonave rurale (zona të bardha) në të cilat nuk ekzistojnë sisteme inxhinierike të furnizimit me ujë. 

 

Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë është përkeqësuar me 0.35 orë më pak furnizim me ujë të pijshëm në 24 orë, që justifikohet, sepse shumë shoqëri janë riorganizuar gjatë vitit 2018, duke marrë zona rurale të shërbyera me orare të reduktuara apo zona krejtësisht të pa shërbyera” thuhet në raport. ERRU vlerëson se këto janë të dhëna paraprake dhe se më në detaj të dhënat do të jepen në raportin e performancës, i cili analizon ecurinë e ujësjellësve dhe publikohet në qershor 2019. Arkëtimet korente në vitin 2018 shënuan nivelin 79% të faturimeve duke mbetur pak a shumë në një nivel me vitin e kaluar kurse eficenca e stafit ka qenë më e lartë dhe për 1 mijë lidhje, mesatarja e punonjësve ishte në 5.32 nga 5.5 në 2017-n./Monitor 


Më të lexuarat