Secondary Adv

Porti i Durresit do te rikonstruktohet, dy projekte per te konkurruar me rajonin

 

Në portin detar të Durrësit nuk mund të ankorohen anije me tonazh 40 mijë tonësh për shkak se baseni i tij nuk e lejon diçka të tillë. Edhe pse është folur gjatë për thellimin e portit kryesor të vendit këtë vit do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.


Porti i Durrësit do t’i nënshtrohet një thellimi të mëtejshëm, ka pohuar ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto. “Thellimi i Portit Durrës është një nga projektet më prioritare të sektorit dhe ndaj kërkoj përshpejtimin dhe aktivizimin e projektit. Ky projekt është jetik për Portin e Durrësit”, – nënvizoi ai.


“Shërbimet mbështetëse dhe shërbimet logjistike duhen përmirësuar. Porti duhet të konsiderohet nga ju për tërësinë e elementëve, kapaciteteve dhe shërbimeve që ofron dhe të marrë angazhimin tuaj çdo element i tij, vetëm kështu mund të jenë portet tona të konkurrueshme”, – tha në një analizë të posaçme për këtë qëllim ministri.

 

 


Haxhinasto u ndal në kapacitetet njerëzore dhe përgëzoi zhvillimet pozitive dhe drejtimin e duhur ku ky sektor po ecën, por ai theksoi se trajnimet dhe edukimi aktual që ofrohen në këtë sektor janë ende të pamjaftueshëm. “Duhet të rrisim kapacitetet menaxheriale dhe kapacitetet e administratës në industrinë detare. Ky është kusht jo vetëm për zhvillimin e sektorit, por dhe për mundësitë reale të punësimit që ofrohen në këtë industri, pasi  kjo mazhorancë ka punësimin si një nga prioritetet e saj absolute”, – tha ai në fund të fjalës së tij.

 


Tarifat e larta që portet shqiptare ofrojnë u cilësuan nga ministri Haxhinasto si një nga sfidat kryesore që përballet sot ky sektor dhe për këtë, ekipi i posaçëm i ngritur pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës pritet të dalë me konkluzionet dhe një projekt të plotë. Për këtë çështje ministri shprehu se po konsiderohet rishikimi i tarifave, të koordinuara këto për të gjitha portet. “Jemi në nivele ende shumë të larta krahasuar me portet e rajonit dhe kjo na bën të reflektojmë dhe të ndërmarrim hapat e duhur. Është domosdoshmëri një politikë e mirëkoordinuar për tarifat mes porteve”, – u shpreh ai.


Për biznesin e Kosovës ministri Haxhinasto kërkoi vëmendje të veçantë. “Është koha të trajtojmë një paketë të veçantë për biznesin e Kosovës që përdor portet tona, me qëllimin për të krijuar lehtësira maksimale për komunitetin e biznesit kosovar”, – tha ai.


Më të lexuarat