Secondary Adv

Dogana shqiptare bllokon 15 kompani nafte

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Shqipëri ka bllokuar 15 kompani të prodhimit dhe të përpunimit të naftës në Shqipëri, pasi nuk ishin pajisur me matës për cilësinë e naftës bruto, të përpunimit apo të stokimit të saj.


Aktiviteti i tyre ekonomik është mbyllur përfundimisht. Lajmin e njoftoi vetë drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, e cila ishte e pranishme në takimin me fokus “Reforma në administratë dhe sistemi antikorrupsion”, zhvilluar paraditen e sotme në Tiranë.
“Duke qenë se 15 prodhuesit dhe përpunuesit nuk kishin vendosur matësit brenda datës 31 dhjetor u krye bllokimi, duke pezulluar plotësisht aktivitetin e tyre ekonomik”, tha Spiropali.
Spiropali njoftoi një valë të re testimesh për të tjera kompani, por edhe për punonjës të doganave.
Testi që do t’i nënshtrohen doganierët do të hartohet nga kompania britanike “Crown Agency”. “Dogana ka nisur metodën e testit të standardizuar. Është një risi e padiskutueshme shqiptare. Testi i integritetit u mundëson punonjësve të antikorrupsionit të kontrollojnë nëse punonjësit apo drejtuesit doganorë i përmbahen kodit doganor dhe kodit të etikës dhe nëse vendimet janë të duhura”, tha Spiroplai.

Magazinat doganore do pajisen me matës
Subjektet të licencuar për magazina fiskale në tregtimin e karburanteve do të pajisen me matës në impiantet e tyre, për të kontrolluar sasinë e produktit që hidhet në treg.


Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, tha se kjo masë ul hapësirat e evazionit fiskal në këtë sektor. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave prezantoi sot Kodin e Ri të Etikës dhe masat për luftën ndaj korrupsionit në administratën doganore.
Që nga viti 2013, doganat janë bërë objekt i një plani reformash që nisën me vendosjen e tutelës së kompanisë britanike “Crown Agents” mbi punonjësit e doganave, me qëllim rritjen e të ardhurave, uljen e korrupsionit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit.


Më të lexuarat