
Tregu i qirase ne Tirane: Si eshte tendenca dhe si variojne cmimet sipas zonave
Në tregun e qirave për dyqane ka filluar tendenca rënëse e çmimeve, megjithëse oferta e shtuar nuk është në nivelet e pritshme të agjentëve të pasurive të paluajtshme.
Xheni Jahja, agjente e pasurive të paluajtshme, thotë për “Monitor” se ka shumë raste kur ka një mospërputhje të çmimit që pretendon të marrë qiradhënësi nga prona dhe kërkesës nga qiramarrësi. Jahja thotë se shpesh, qiramarrësit nuk e marrin në konsideratë humbjen që ju vjen nga të ardhurat e munguara, për shkak të çmimit të lartë. Nëse do ta mbante qiranë po aq sa e kishte më parë, 350 euro, prona do të ishte dhënë lehtësisht me qira dhe të ardhurat bruto vjetore prej saj do të ishin 4200 euro, ndërsa me qira mujore 450 euro, të ardhurat vjetore, duke zbritur muajt që apartamenti ka qenë bosh, do të ishin 3600 euro.
Aktualisht, Shqipëria renditet e 19 në Europë për kthimin nga qiraja në zonën e qendrës, sipas Numbeo, tregues i cili shprehet si përqindje e qirasë vjetore ndaj çmimit të blerjes së një apartamenti. Sa më i lartë të jetë ky tregues, aq më pozitive është. Për vitin 2019, ky tregues është 4.28%. Kthimi nga qiraja është më i lartë për zonat jashtë qendrës. Sipas Numbeos, ky tregues për 2019 ishte 5.27%, duke e renditur Shqipërinë në vend të 11 në Europë. Arsyeja kryesore, sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, është së apartamentet në zonat e qendrës kanë një diferencë mjaft të lartë në çmim në raport me apartamentet në qendër. Ndërsa për sa i përket qirasë, diferencat nuk janë aq të larta. P.sh., një apartament brenda Unazës e blen minimumi me 1000-1200 euro/m2 dhe e jep me qira për 350 – 650 euro në muaj.
Kthimi nga investimi, për një apartament 100 m2, që e blen me 1200 euro për metër katror dhe e jep me qira mujore prej 350 eurosh, llogaritur në bazë të vlerës në kohë të parasë, me një interes mesatar prej 3% është 27 vjet, shumë më i lartë sesa niveli optimal prej 12-15 vitesh, kur vlerësohet si e leverdishme të blesh një apartament për ta dhënë me qira. Një apartament në Unazë mund ta blesh me 500 euro/m2 dhe e jep me qira për 200 euro në muaj. Sipas së njëjtës formulë, kthimi është për 19 vjet, pra rreth 8 vjet më pak sesa nga investimi në një shtëpi brenda Unazës. E leverdishme rezulton dhe investimi në zonën e “Don Boskos”. P.sh., një shtëpi 1+1 prej 70 m2, me çmim shitje prej 900 euro/m2, e jep me qira mesatare prej 350 eurosh, duke e nxjerrë investimin për 16 vjet. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se kjo është një zonë, që nuk është ende shumë e shtrenjtë, ndërsa është e preferuar nga qiramarrësit e huaj, si turqit, apo studentët italianë që studiojnë në universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Mungesë e ofertës së re në treg
Edhe pse numri i lejeve të ndërtimit është rritur në tre vitet e fundit dhe ka pasur një bum ndërtimesh në Tiranë, këto prona ende nuk janë hedhur në tregun e qirasë në kryeqytet. Xheni Jahja, nga Tirana Real Estate shpjegon se për sa i përket segmentit të qirasë për banim, ka nevojë për oferta të reja. “Kërkesa për qira është e vazhdueshme dhe furnizohet me prurje të reja çdo vit. Ky segment i tregut të pasurive të paluajtshme është relativisht i zhvilluar, por ofertat nuk janë në nivelin e duhur për sa i përket çmimit apo në investim brenda pronës”, – shpjegon Jahja.
Për zyra ka gjithmonë kërkesa
Për sa u përket ambienteve të biznesit, përfshirë këtu zyrat të cilat nuk ndodhen në katet e para, ka gjithmonë kërkesa. Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, kërkesa vjen prej bizneseve të reja që hapen apo prej spostimit të zyrave ekzistuese në ambiente më të mëdha apo në zona më volitshme për të bërë biznes. Për këtë segment të tregut të patundshmërisë, ka oferta interesante si në sipërfaqe, vendndodhje dhe në çmim./Monitor
Më të lexuarat








