Shqiperia me produktivitetin me te ulet te punes: Faktoret dhe ndikimi ne ekonomi
Produktiviteti i punës mat sasinë e të mirave dhe shërbimeve të prodhuara për një orë pune.
Produktiviteti i matur nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e cila ka matur produktivitetin në Shqipëri, e mat atë si raport të shitësve ndaj punonjësve në ekonomi. Rritja e prodhimit për orë pune rrit ofertën agregate, e cila mund të shkojë për të mbuluar kërkesën për mallra dhe shërbime brenda vendit ose jashtë vendit. Produktivitet do të thotë që të prodhohet më shumë me kosto më të ulët, çka përkthehet në çmime më konkurruese në treg dhe rritje të eksporteve dhe shitjeve Brenda vendit. Rritja e shitjeve rrit të ardhurat për firmat dhe normalisht fitimet e tyre. Rritja e të ardhurave rrit investimet e firmave në kërkime, teknologji të reja dhe trajnime për rritjen e aftësive të punonjësve. Kjo gjë do të bëjë që produktiviteti të vazhdojë të rritet. Kjo rritje do të përkthehet në rritje të pagave të punonjësve, rritje të kërkesës së përgjithshme të ekonomisë, rritje të investimeve, pra, rritje të ekonomisë në tërësi.
Produktiviteti i punës në Shqipëri
Produktiviteti i punës në Shqipëri llogaritet sa një e treta e mesatares së rajonit dhe një e pesta e vendeve më të zhvilluara të BE. Rritja e ulët e produktivitetit vjen si pasojë e mungesës së inovacionit dhe aftësive. Produktiviteti i punës në Shqipëri është më i ulët se 10000 euro në vit, krahasuar me 30000 euro në Ballkan dhe 50000 euro në 11 vendet më të zhvilluara të Evropës. Bosnje dhe Hercegovina ka produktivitetin më të lartë në rajon, madje edhe Kosova renditet e parafundit në listë dhe ka produktivitet 50% më të lartë se Shqipëria. Produktiviteti i Punës në Shqipëri u përmirësua me 0.07% në qershor 2018, krahasuar me një rënie prej 1.18% në tremujorin e mëparshëm. Të dhënat e rritjes së Produktivitetit të Punës në Shqipëri që nga marsi 2010 deri në qershor 2018 tregojnë se produktiviteti ndryshon me mesatarisht në -0.83%. Një rritje e produktivitetit mund të arrihet nëse ekonomia jonë rrit nivelin e teknologjisë së përdorur dhe investon më shumë në cilësinë e kapitalit njerëzor. Kostot e ulëta të punës dhe informaliteti janë kthyer në një bumerang për ekonominë. Shumë kompani paguajnë paga të ulëta dhe kjo është një arsye pse ato nuk investojnë në teknologji, çka do të rriste produktivitetin dhe do të reduktonte kostot e punës. Nëse do të përqendroheshim më tepër në rritjen e produktivitetit të punës do të kishim rritje më të madhe dhe më të qëndrueshme në ekonomi./Atlas.al