Vendim i ri per makinat e perdorura: Ndalohet vetem importi i makinave para 2005
Pas tërheqjes nga vendimi i mëparshëm që ndalonte importin e makinave të prodhuara para 2009, ministrja e Infrastrukturës ka shpjeguar çfarë do ndodhë në vijim.
Gjatë inspektimit në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Beratit, ministrja theksoi se me vendimin e miratuar së fundmi në Këshillin e Ministrave nuk do të ketë më mjete të targuara të viti 2004, pasi standardi që do të ndiqet do të jetë ai i emetimit Euro 4, i cili përfshin automjetet nga viti 2005 e në vijim. “Me VKM-në e re nuk do të ketë më mjete të 2004 të targuara apo të 2003, pasi standardi që këtu e tutje do të jetë standardi i emetimit Euro 4, i cili përfshin nga viti 2005 e tutje. Sigurisht ky është një ndryshim i fundit që erdhi në VKM-në 633 për shkak edhe të kërkesës së qytetarëve. Është rishikuar, por ndërkohë është zbatuar standardi europian i 2004, duke respektuar edhe ambientin pasi edhe kjo është diçka shumë e rëndësishme”, u shpreh Balluku. Ministrja kërkoi nga punonjësit e DRSHTRR që të informojnë qytetarët të cilët paraqiten pranë zyrave të tyre se tashmë është shtyrë deri në 31 dhjetor afati i hyrjes në fuqi në VKM-së.
“Ajo çfarë ju duhet ti shpjegoni të gjithë qytetarëve që vijnë këtu është që është shtyrë edhe afati i hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je, pra deri në 31 dhjetor, duke qenë se ka qenë një shqetësim shumë i madh i të gjithë qytetarëve afati shkurtër, sigurisht edhe i tregtarëve, por ajo që ne na intereson më tepër dhe vëmendja sigurisht është tek çfarë qytetarët kërkojnë”, theksoi Balluku. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave u miratuan disa ndryshime në vendimin sa i takon masave kundër ndotjes së ajrit nga shkarkimet e mjeteve motorike. Ndryshimet parashikojnë që afati i hyrjes në fuqi të VKM-së të shtyhet me 10 muaj, deri në 31 dhjetor të 2019, çdoganimi i të gjitha mjeteve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë deri në datë 31 dhjetor 2018, si dhe automjetet e përdorura që do të futen në territorin e Shqipërisë pas 1 janarit 2019 duhet të përmbushin kushtet teknike Euro 4, ndërkohë që automjetet me kilometrazh 0 duhet të përmbushin kushtet Euro 5 dhe Euro 6./Scan