
Skema e re e ndihmes ekonomike - KLSH: Nuk rezulton efektive ne zbutjen e varferise
Skema e re e Ndihmës Ekonomike është projektuar si skemë aktive, që krahas ndihmës financiare që i jep individëve në nevojë, tenton t’i ri integrojë duke krijuar mundësi punësimi.
Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bashkinë Tiranë, Bashkinë Vlorë dhe Bashkinë Fier për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore: “A është efektive skema e Ndihmës Ekonomike si një ndër instrumentet për të zbutur varfërinë?” Në fund të auditimit, kësaj pyetje iu kthye përgjigje si më poshtë:
Pse ka dështuar reformimi i sistemit të NE?
Së pari, skema e NE nuk është vlerësuar në raport me nevojat e minimumit jetik. Shuma e përcaktuar nga skema e Ndihmës Ekonomike nuk reflekton nevojat reale dhe aktuale të individëve dhe familjeve, duke qenë se nuk ka një vlerë zyrtare të përditësuar të minimumit jetik në Shqipëri. Masa e pamjaftueshme e përfituar nga skema e Ndihmës Ekonomike bën që individët të sigurojnë të ardhura me mënyra alternative, gjë e cila stimulon krimin ekonomik. Masa e ndihmës ekonomike (NE) është e përcaktuar me VKM dhe llogaritet sipas strukturës së familjes dhe masa maksimale e plotë e ndihmës ekonomike për familjen nuk mund të jetë më e lartë se 8000 lekë të reja në muaj. Pavarësisht mungesës së një vlere zyrtare për minimumin jetik, në një studim nga Avokati i Popullit në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER), ka rezultuar se minimumi jetik që na ndan nga varfëria është 16,000 të reja në muaj.
Së dyti, skema e NE nuk ndihmon aspak në daljen reale të individëve nga varfëria. Skema e re e NE tenton të targetojë individin më të varfër, duke i ofruar ndihmën ekonomike dhe kryqëzimin elektronik të të dhënave, si edhe duke evidentuar rastet abuzive. Arsyeja kryesore e refuzimit të NE ose të daljes nga sistemi i përfitimit të NE është: “Nuk ka marrë pikët e mjaftueshme” (80% e refuzimeve). Në verifikimet me listat e përfituesve sipas skemës së vjetër pjesa më e madhe e këtyre aplikantëve figurojnë të kenë qenë përfitues nga programi i NE. Njëkohësisht në funksion të monitorimit dhe kontrollit, familjet e refuzuara nga skema sipas formulës së unifikuar të pikëzimit do të trajtohen nëpërmjet bllok-ndihmës ekonomike prej 6% të fondit të kushtëzuar. Ky fond iu alokohet Bashkive të rretheve në masën 6% të fondit total për pagesat e NE. Për përfitimin prej kësaj bllok-ndihme aplikantët duhet të kenë rezultuar jo fitues nga skema e pikëzimit tek të cilët do të procedohet duke kryer paraprakisht vlerësimi social-ekonomik në familje nga administratori shoqëror.
Mirëpo monitorimi edhe një herë në terren nga administratori social i gjendjes social-ekonomike të këtyre familjeve të dala nga sistemi, ri konfirmon opinionin fillestar mbi gjendjen e varfër dhe ekstremisht të varfër të këtyre familjeve. Pra mosrakordimi në sistem i deklaratës së administratorit me rezultatin e pikëzimit, identifikojnë se daljet e familjeve nga skema e NE nuk janë realisht si shkak i daljes së familjes nga gjendja e varfërisë. Së treti, pavarësisht se një nga objektivat e skemës ishte ofrimi i ndihmës për ri integrimin e individëve në nevojë në punë ose shoqëri, duket se nuk ka qenë aspak prioritet. Mungesa e vlerësimit të ndikimeve të skemës së re në zonat pilot në lidhje me ri integrimin bën që problemet e hasura gjatë fazës së pilotimit në lidhje me ri integrimin e individëve ekzistojnë ende tani që skema aplikohet në të gjithë vendin duke cenuar përmbushjen e një kërkese të këtij objektivi strategjik.
Gjithashtu, numri i familjeve që kanë dalë nga skema e Ndihmës Ekonomike nëpërmjet përfshirjes në tregun e punës vazhdon të jetë shumë i ulët, duke mos arritur objektivin A5 të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen Sociale 2015-2020. Objektivi strategjik përcakton se brenda vitit 2017 do të përfshiheshin në politikat aktive të tregut të punës 5% e përfituesve të ndihmës ekonomike, ndërsa sipas të dhënave të SHSSH për këtë vit kjo shifër nuk kalon 4%. Së fundmi, procesi i monitorimit të skemës së NE nuk është eficient. Nga evidencat e shqyrtuara mbi procesin e monitorimit të skemës së NE, MSHMS ka mangësi në monitorimin e prioritetit strategjik të “zbutjes dhe lehtësimit të varfërisë”, duke mos respektuar formatin e Matricës së Vlerësimit të Rezultateve dhe brendinë në lidhje me: treguesit SMART, arritjet në % dhe peshat specifike që mbulon secili objektiv dhe mjetet me të cilat do të monitorohen. Mungesa e efiçiencës në monitorim bën që të mos evidentohen problematikat që ekzistojnë dhe të mos merren masat për zgjidhjen e tyre./ProBiznes
Më të lexuarat








