Secondary Adv

Ndertimet ne menyre empirike: Cmime te larta dhe nuk pershtaten me nevojat e tregut

Në Shqipëri vazhdimisht ndërtohen pallate ose kulla të reja dhe aktualisht çmimet variojnë nga 800 deri në 2500 euro për m2 në Tiranë. 

 

Apartamente të shtrenjta në vit ndërtohen rreth 300 deri në 350, por kërkesa për to është rreth 100-150 apartamente në vit. Këto shifra tregojnë për një mbingopje të tregut. Në tremujorin e katërt 2018 janë miratuar gjithsej 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %. Gjatë vitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %. Ndërkohë që janë rritur lejet e ndërtimit dhe ndërtimet e reja, edhe kostoja e tyre është bërë më e madhe. Kështu, Indeksi i kushtimit në ndërtim, në tremujorin e katërt 2018 arriti 104,2, duke shënuar rritje me 1,0 % në krahasim me tremujorin e katërt 2017. Krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, indeksi i grupit ”Kosto të tjera” u rrit me 3,3 %, pasuar nga grupi ”Shpenzime transporti” me 1,9 % dhe grupi “Shpenzime për paga” me 1,1 %. Ndërsa rënie ka shënuar grupi “Shpenzime materiale” me 0,5 %.

 

Arben Dervishi, kryetar i Shoqatës së Ndërtuesve në Tiranë, ka thënë për Monitor se ndërtuesit në Shqipëri vijojnë që të ndërtojnë në mënyrë empirike dhe pa studime të mirëfillta për kërkesën në tregun e patundshmërisë në Shqipëri. Sipas raportimeve që ka marrë nga anëtarët e Shoqatës së Ndërtuesve së fundmi ka filluar që të ndihet një rënie në ritmin e shitjeve të apartamenteve në Tiranë. Çiftet e reja janë ndër grupet kryesore që përbëjnë klientët potencialë për firmat e ndërtimit, por sipas aktorëve kryesorë të tregut, ato kërkojnë oferta me çmime ekonomike me një çmim 810-850 euro. Për shembull, kërkesa për blerje në Tiranë në rritje shpjegon se ajo nuk përputhet me atë çka po ofrojnë firmat e ndërtimit në Tiranë. Rritja e ofertës të apartamenteve dhe ulja e kërkesës do të çojë në një rritje të stokut të apartamenteve. Me rritjen e kostove të ndërtimit dhe taksave do të jetë e vështirë që tregu të përshtatet lehtësisht në një nivel çmimi që do të ngeleshin të dyja palët të kënaqura./ProBiznes


Më të lexuarat