
Sektori i ndertimit pritet te perjetoje bum ndertimesh: Nga vijne financimet dhe fuqia blerese
Tirana pritet të përjetojë një bum të lartë ndërtimesh, një pjesë e madhe e të cilave në zonën qendrore të saj.
Nga po vijnë financimet dhe fuqia blerëse në një ekonomi që zyrtarisht gjeneron pak të ardhura e fitime dhe ku kredia për këtë sektor është në stanjacion? Si po bëhet Shqipëria, që zyrtarisht është vendi që ka të ardhurat për frymë më të ulëta në rajon, me kryeqytetin më të shtrenjtë sa u përket çmimeve rezidenciale në qendër të saj. E parë nga Mali i Dajtit, Tirana e pas disa viteve do të jetë shumë më e lartë dhe e ngjeshur sesa ajo që është sot, sidomos zona e qendrës. Vetëm në 2018-n janë dhënë në kryeqytet 388 leje, për një sipërfaqe ndërtimi prej rreth 940 mijë metra katrorë, me një rritje prej 80% në raport me vitin e kaluar, sipas të dhënave zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT). Kësaj sipërfaqeje i korrespondon një vlerë investimi prej të paktën 350 milionë euro në një vit (e matur indirekt me dy mënyra, me një kosto ndërtimi rreth 350-400 euro/m² dhe bazuar në pritshmëritë për mbledhjen e taksës së infrastrukturës nga Bashkia).
E ngjeshur do të jetë dhe zona e qendrës së kryeqytetit, ku apartamentet do të shiten duke filluar nga 2,000-2500 euro për metër katror dhe zyrat mbi 2500-5000 euro/m². Sipas agjencisë Colliers International Albania, që vepron në industrinë e shërbimeve të pasurive të paluajtshme, sipërfaqja totale e parashikuar të ndërtohet gjatë 5 viteve të ardhshme (duke supozuar ecuri normale të ndërtimit) në zonat qendrore të Tiranës (projekte të një shkalle të caktuar) është vlerësuar të jetë rreth 538,000 m². ashkia e Tiranës parashikon të mbledhë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja 3.2-4 miliardë lekë në vit, deri në vitin 2021, që i korrespondon minimalisht rreth 350-400 milionë euro investime në vit vetëm në sektorin e ndërtimit në kryeqytet.
Por, sa kapacitet ka një ekonomi, e cila zyrtarisht, sipas Anketës Strukturore të INSTAT deklaron fitime vjetore prej rreth 1.2 miliardë eurosh në të gjithë sektorët, nga e cila 188 milionë euro vijnë nga ndërtimi, që të gjenerojë likuiditete për projekte kaq të mëdha në fushën rezidenciale? “Monitor” ka analizuar bilancet e kompanive më të mëdha të ndërtimit në vend, që renditen ndër 200 sipërmarrjet kryesore sipas qarkullimit vjetor. Kastrati sh.a. (me aktivitet kryesor tregtimin e naftës, por që është përfshirë vitet e fundit në ndërtim), Alb – Star (që po ndërton projektin e stadiumit), GENER 2 (me projekte të shumta rezidenciale në Tiranë), ALB-Building, Grupi Balfin (përmes Mane TCI kryesisht, ndonëse tashmë është tërhequr nga ndërtimet në kryeqytet) janë kompanitë më të mëdha në vend, që kanë burime për angazhimin në projekte të mëdha rezidenciale.
Kastrati ka aktive afatshkurta (që mund të gjenerojnë likuiditete prej rreth 90 milionë eurosh) dhe një fitim vjetor (përfshirë dhe Kastrati sh.p.k.) prej rreth 16 milionë eurosh, ndërsa raporti mes detyrimeve dhe kapitalit është afërsisht një me një. Gener 2 ka asete afatshkurta prej rreth 40 milionë eurosh dhe fitime prej mbi 2 milionë eurosh. Të tjera kompani, si p.sh., Fusha, e cila ka dorëzuar një projekt të pakërkuar për ndërtimin e Teatrit dhe kullave aty pranë, me një investim total 93 milionë euro, ka një bilanc minimal. Kompania ka një total asetesh afatshkurta prej vetëm 14 milionë eurosh, ato afatgjata janë minimale, të ardhurat në 2017-n ishin rreth 10 milionë euro dhe fitimi pas taksave vetëm 400 mijë euro! Asetet afatshkurtra të kompanive të tjera të ndërtimit përgjithësisht nuk janë më të larta se 10-15 milionë euro.
Krahas firmave të mëdha, kanë dalë në skenë edhe kompani të vogla, të panjohura, të cilat sipas bilanceve zyrtare së paku tre vitet e fundit, kanë deklaruar të ardhura minimale ose zero. “Monitor” ka identifikuar vazhdimisht disa prej tyre nga vëzhgimet që ka bërë në terren. Ndërtimet e tyre po ecin me shpejtësi, teksa burimet e financimit shpesh mbeten të panjohura, pasi asnjë bankë nuk financon firma që nuk kanë historik. Sipërmarrje me të ardhura vjetore modeste po reklamojnë projekte investimi prej miliona eurosh! (Interte Expres me të ardhura vjetore rreth 6 milionë euro në 2017-n dhe asete afatshkurtra 2.3 milionë euro ka prezantuar zyrtarisht një projekt prej 60 milionë eurosh). Shpesh në projekte ndërtimi, investitori dhe firma zbatuese e projektit janë të ndryshme. Sipas ndërtuesit Hajredin Fratari është e vështirë që të identifikosh se cili është investitori në një projekt ndërtimi./Monitor
Më të lexuarat








