
Shetitorja e re e Pogradecit, Rama inspekton punimet
Një shëtitore 17.3 kilometra bregut të liqenit të Ohrit, e gjelbëruar në të dyja anët e saj, një korsi për lëvizjen me biçikletë dhe një rrugë e standardeve europiane do të jetë së shpejti, pamja e re e hyrjes në qytetin e Pogradecit. Përgjatë segmentit Lin-Pogradec po zbatohen projektet për rindërtimin e rrugës dhe rehabilitimin e gjelbërimin e bregut të liqenit të Ohrit, të financuara nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Zëvendëskryeministri Niko Peleshi dhe kryetari i Bashkisë Pogradec Artan Shkëmbi, inspektoi sot, punimet tërësore që po kryhen në këtë segment. Drejtues të Autoritetit Rrugor informuan se po punohet për përfundimin e rikonstruksionit të rrugës, për ta bërë të shfrytëzueshme për sezonin turistik, ndërkohë që ka nisur edhe projekti për shëtitoren. Ky projekt parashikon gjithashtu, pastrimin nga inertet dhe rehabilitimin e zonave të ndërtimeve të prishura, sistemimin e terrenit dhe gjelbërimin e tyre.
Kryeministri veçoi të rëndësishme, respektimin e objektivit që rruga të jetë gati para nisjes së sezonit turistik. Ndërsa theksoi se të gjitha këto ndërhyrje do ta kthejnë bregun e liqenit të Ohrit në një nga aset e çmuara turistike të vendit.
"Objektivi është që kur të fillojë sezoni të jemi në kushte të tjera komplet, të jetë gjithçka e kalueshme dhe brenda vitit, ne ta kemi kryer totalisht si projekt, jo vetëm rrugën, por gjithë parkun, e rikthyer pas 30 vitesh siç nuk ka qenë para 30 vjetësh, me një rehabilitim që e bën praktikisht një nga zonat më të bukura turistike të rajonit dhe pa diskutim e kthen si zonë turistike me vlera të posaçme nga pikëpamja ekologjike, nga pikëpamja e peizazhit, e natyrës dhe patjetër, edhe nga pikëpamja e lëvizjes", tha Rama.
Nga bregu i liqenit të Ohrit kryeministri Rama foli edhe për pastrimin nga inertet dhe rehabilitimin e zonave të ndërtimeve të prishura, sistemimin e terrenit dhe gjelbërimin e tyre.
"Gjithë zona e atyre ndërtimeve pa leje dhe asaj barbarie dhe kafshërie që u vu në jetë 20 vjet, me zhvillime të papërgjegjshme, kthehet në një park të madh për qytetarët dhe në një aset të madh për gjithë turistët që mund të lëvizin, mund të shëtisin, mund të vrapojnë, mund të kenë vend fëmijët për të luajtur. 17 kilometra park dhe me korsi biçikletash", u shpreh Rama.
Përurohet zyra e re e policisë në Pogradec
Gjatë vizitës në Pogradec, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri përuruan Zyrën e Shërbimit Unik për qytetarët. Kjo zyrë përmbledh në një sportel të vetëm të gjitha shërbimet që Policia e Shtetit u ofron qytetarëve.
Ministri Tahiri u shpreh se Zyra e Shërbimit Unik garanton një shërbim cilësor ndaj qytetarëve, por edhe eliminon praktikat abuzive dhe korruptive të punonjësve të policisë.
Viti 2015, tha Tahiri, është viti i modernizimit teknologjik, modernizimit infrastrukturor, por edhe i ndryshimit të mentalitetit të punonjësve të Policisë së Shtetit në shërbimin ndaj qytetarëve.
“Shërbimi cilësor ndaj qytetarëve është e vetmja rrugë për të rritur besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit”, nënvizoi ministri i Brendshëm.
Më të lexuarat








