Vijon rritja e kredise per te dytin muaj radhazi - BSH: Bankat i rikthehen euros
Huaja për ekonominë ka shfaqur shenja gjallërimi për të dytin muaj radhazi.
Sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i kredisë së dhënë për bizneset, individët dhe kompanitë shtetërore arriti në 541.5 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej gati 1% në krahasim me muajin e mëparshëm. Ndikimin kryesor në këtë rritje e ka dhënë rritja e huasë në euro për bizneset por edhe për individët. Huaja e sipërmarrjeve në euro u rrit me gati 2% me bazë mujore, ndryshe nga ajo në lekë po për të njëjtën kategori, që u zgjerua me 0.6% në raport me muajin e mëparshëm. E njëjta tendencë ishte dhe për huanë për individë, ku rritja në euro me bazë mujore ishte 1.4% dhe ajo në lekë me 0.4%. Në fund të muajit shkurt, pesha e kredisë në lekë shënoi një ulje të lehtë, nga 50.4% në 50%, ndryshe nga tendenca e muajve të kaluar kur huaja e dhënë në monedhën vendase po shënonte një tendencë rritëse.
Gjithsesi, në krahasim me muajin shkurt të një viti më parë, kur Banka e Shqipërisë nisi një strategji për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi, duke i orientuar bankat që të fokusoheshin te huaja në monedhën vendase, pesha e kredisë në lekë ka mbetur pothuajse e pandryshuar. Banka e Shqipërisë tha në deklaratën e fundit se zgjerimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur nga – dhe pasqyruar në – trendin gradual rritës të kredisë për sektorin privat. Duke përjashtuar efektin kontabël të kursit të këmbimit si dhe atë të nxjerrjes së kredive të humbura jashtë bilanceve, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej rreth 6% gjatë dy muajve të parë të vitit 2019. Kjo rritje, ndonëse ende e moderuar, përbën një sinjal pozitiv për gjallërimin e kërkesës dhe përmirësimin e ofertës për kredi. Me bazë vjetore, (shkurt 2019/shkurt 2018), stoku i huasë për ekonominë ka rënë me 1.5%, po ndikim këtu ka dhënë dhe fshirja nga bilancet e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen dhe efekti që ka pasur zhvlerësimi i euros në shifrat e huasë në valutë që raportohen në lekë./Monitor