
Dinamikat e tregut te punes ne Shqiperi: Pse po bie ndjeshem produktiviteti i punes
Shqipëria e ka produktivitetin e punës më të ulëtin në Rajonin e Ballkanit, por ky tregues ka shënuar përkeqësim edhe në raport me veten në dekadën e fundit.
Një studim i ekspertit Orion Garo, nga Departamenti i Kërkimeve, Banka e Shqipërisë, në lidhje me Tiparet e Tregut të Punës në Shqipëri, shpjegon se luhatjet e produktivitetit të të punësuarve ndodhin në varësi të numrit të tyre në forcën e punës. Sipas të dhënave, gjatë periudhave që punësimi bie, prodhimi i brendshëm realizohet nga më pak punonjës, rrjedhimisht dhe produktiviteti për të punësuar shënon vlera më të larta dhe anasjelltas. Konkretisht, tendenca e lehtë rënëse e produktivitetit për të punësuarit, e vënë re për periudhën e viteve 2014 e në vijim, rezulton nga raporti i trendit rritës të PBB-së reale me rritjen e masës së të punësuarve, gjatë kësaj periudhe. Duket se viti 2017 shënon një kthesë pozitive në trendin e produktivitetit të të punësuarve, edhe pse masa e të punësuarve vijon rritjen që nga viti 2014.
Forca e punës arrin kulmin, tani në fazën e rënies
Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, popullsia në moshë pune ka përfshirë rreth 2/3 e së gjithë popullsisë së vendit. Në forcën e punës janë përfshirë 63.6% të popullsisë në moshë pune, rreth 1.3 milionë individë, ndërsa pjesa e mbetur përbën popullsinë ekonomikisht joaktive. Në vitin 2015, për herë të parë nga përfshirja e vendit tonë në ekonominë e tregut të lirë, popullsia në moshë pune kapi shifrën 2 milionë. Viti 2018 shënoi frenimin e trendit rritës prej mesatarisht 0.4% në vit, që e karakterizoi këtë tregues nga viti 2009. Sipas raportit të Bankës Botërore për ecuritë e tregjeve të punës në Ballkanin Perëndimor, të vetmet rajone tek të cilat nuk vihej re trend rënës i popullsisë në moshë pune janë trevat ku banojnë shqiptarë. Megjithatë, të dhënat për vitin 2018 dhe ritmet me të cilat kjo popullsi po shtohet nga prurjet e moshave të reja, tregojnë se ky trend ka filluar rënien graduale edhe në Shqipëri. Sipas projeksioneve të reja të popullsisë 2019 – 2031 për tri nënndarje të grup-moshës së të rinjve, për vitet 2018-2021, sipas të dhënave të mbledhura dhe projeksioneve të INSTAT-it, shihet qartë që prurjet e moshave 15-19 dhe 20-24 vjeç paraqesin rënie të dukshme gjatë 4 viteve në vijim, tendencë kjo që shënon pikënisjen e trendit rënës për forcën e punës.
Ngjyrat e punësimit
Në treguesit e punësimit ekzistojnë paqartësi dhe zona gri midis punësimit kundrejt një page, vetëpunësimit dhe prodhimit bujqësor për vetëkonsum të konsideruar si punësim. Nga viti 2014, punësimi ka pasur një tendencë të dukshme rritëse, drejt nivelit të viteve 2000-2001, gjatë të cilave norma e tij ka qenë e stabilizuar në rreth 60%. Nëse e analizojmë ecurinë e normës së punësimit që nga fillimi i viteve 2000, vërejmë luhatje të shpeshta të saj midis kufijve 50 – 60%, si dhe një trend afatgjatë të lehtë (por jo të mirëfilltë) rënës. Në tremujorin e parë 2001, punësimi shënoi nivelin më të lartë të tij, 60.7%, ndërsa në tremujorin e parë 2014, kapi nivelin më të ulët në këto 18 vite, 47.1%. Luhatja strukturore e reflektuar në rënien e normës së punësimit, në vitin 2014, përkon në kohë me nivelin më të ulët të rritjes ekonomike të këtyre 18 viteve të fundit, me një mesatare rritjeje prej vetëm 1.3% në periudhën 2011 (tremujori i dytë) – 2014 (tremujori i dytë), si dhe me periudhën e fushatës zgjedhore të vitit 2013.
Në vijim, niveli i punësimit ka njohur rritje prej 12.6 pikë përqindjeje që nga fillimi i vitit 2014, i ndihmuar edhe nga strategjitë e formalizimit të ekonomisë të ndjekura nga qeveria. Sidoqoftë, niveli aktual i punësimit rezulton vetëm 4.9 pikë përqindje mbi nivelin mesatar të këtyre 18 viteve, dhe mbetet ende margjinalisht nën nivelin e viteve 2000 – 2001, kur ai regjistronte vlerat e tij maksimale (60%). Sa u përket diferencimeve sipas grup-moshave, vërejmë dallime të theksuara për individët 15-29 vjeç dhe ata 30-64 vjeç. Mesatarja e përqindjes së të punësuarve për të rinjtë e grup-moshës 15-29 vjeç, gjatë 11 viteve të fundit, është 34.4%, pak a shumë sa gjysma e përqindjes së të punësuarve për individët e grup-moshës 30-64 vjeç (të cilët punësimin e kanë në mesataren 65.3%). Përqindja e të punësuarve për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ka trend linear zbritës, ndërsa ajo për grup-moshën 30-64 vjeç ka trend linear rritës.
Gjithashtu, devijimi nga trendi i normës së punësimit për grupmoshën 15-29 vjeç ka një mesatare prej 2.2 pikë përqindjeje, rreth 1.9 herë më të lartë se mesatarja e devijimit nga trendi për grup-moshën 30-64 vjeç. Kjo diferencë në devijim nga trendi evidenton faktin që luhatjet te punësimi i të rinjve janë shumë më të shpeshta, duke reflektuar pasiguri të mbajtjes së vendit të punës, krahasuar me grup-moshën 30-64 vjeç. Sa i përket diferencimit gjinor, gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, hendeku midis meshkujve dhe femrave në masën e të punësuarve mbetet relativisht konstant në 15.3 pikë përqindje – me rreth 153 mijë meshkuj më shumë mesatarisht. Të dhënat tregojnë që gjatë këtyre 18 viteve, mesatarisht 85% e forcës së punës kanë qenë të punësuar dhe përqindja e mbetur të papunë. Afërsisht 3/5 e saj janë meshkuj dhe vetëm 1/4 janë të rinj të moshës 15-29 vjeç. Grafiku 5 paraqet ecurinë e punësimit, shprehur si përqindje e forcës së punës, gjatë periudhës së raportuar. Siç shihet, përqindja e punësimit në forcën e punës ruan një trend të qartë rritës deri në vitin 2012.
Papunësia në rënie
Te të papunët përfshihen pjesëmarrësit në forcën e punës që nuk janë në marrëdhënie pune. Aktualisht, norma e papunësisë në Shqipëri është në nivelin 12.2%, (T3 2018). Nga viti 2014, vit në të cilin papunësia regjistroi nivelin më të lartë të saj (18.2%) në këto 18 vjet, ka pasur një tendencë graduale rënëse. Norma e papunësisë ka ruajtur një nivel mesatar prej 14.7%. Përgjithësisht, trendi i saj ka qenë gradual rënës, duke u ulur me rreth 5 pikë përqindje, nga viti 2000 deri në vitin 2012. Ky trend pasoi me një rritje të vrullshme gjatë viteve 2012-2013, por viti 2014 shënon fillimin e uljes graduale të tij, e cila vijon ende. Testet statistikore flasin për një thyerje strukturore të ecurisë së tij, pikërisht në tremujorin e dytë të vitit 2013, që përkon me uljen e ritmeve të rritjes ekonomike gjatë periudhës 2011-2013. Gjatë viteve në vazhdim, evidentohet një trend rënës i normës së papunësisë, e cila aktualisht ka tejkaluar dhe normën më të ulët të saj gjatë këtyre 18 viteve, të regjistruar në vitin 2008./Monitor
Më të lexuarat








