Secondary Adv

Rafinerite e paligjshme te naftes, nga 23 Shkurti nis procesi i mbylljes

Inspektoriati Qendror Teknik do të mbyllë të gjitha rafineritë e palicencuara të naftës duke filluar nga data 23 Shkurt.Kjo datë është afati i fundit që i është lënë këtyre subjekteve për të përmbushur të gjitha parametrat teknike dhe të sigurisë së përpunimit të naftës sipas legjislacionit shqiptar.


Kryeinspektorja e IQT-së, nga studiot e TV SCAN ka lajmëruar masat që do të ndërmerren ndaj subjekteve të palicencuara, ndërsa vetëm dy të tilla kanë aplikuar për licencë. Për t’i vënë fre kësaj situate, ku pika të shumta të tregtimit të karburantit kryenin edhe procesin e përpunimit dhe përzierjes së hidrokarbureve, qeveria miratoi ndryshimet në ligjin për hidrokarburet në muajin Korrik të vitit të kaluar.
Lejet dhe licencat lëshoheshin nga pushteti vendor, duke shkaktuar ndotje alarmante të mjedisit, ndërsa tani lëshohen nga ministria e linjës. Por operatorëve ju la afat një periudhë kohore 6-mujore në mënyrë që të përshtasnin pikat e tyre me parametrat e kërkuara në ligj.

Kontrollet për naftën, 280 gjoba në 2014
Inpektoriati Qendror Teknik ka gjobitur përgjatë vitit 2014 rreth 280 subjekte, prej të cilave 220 për mashtrim me cilësinë e karburantit që u shesin konsumatorëve. Shuma e këtyre gjobave kap në total shifrën e rreth 82 milionë lekëve.  Por ashtu sikurse në shumë institucione të tjera, kjo vlerë nuk arkëtohet për shkak të ngërcit që has në sistemin gjyqësor.
“Për çdo kërkesë për urdhër ekzekutimi nga ana e gjykatës kërkohet të paraqitet një vërtetim sipas të cilit subjekti nuk ka bërë ankimim në gjykatë. Gjykata e shkallës së parë nuk na jep një vërtetim të tillë, pasi janë probleme që kanë dalë me ndarjen e gjykatës administrative më vete dhe na drejton tek ajo administrative, Gjykata Administrative nuk na kthen asnjë përgjigje dhe ky është problemi kryesor sepse në momentin që nuk kemi një vendim gjykate për bërjen e kësaj gjobe titull ekzekutiv nuk mund të veprojmë për të arkëtuar gjobat”, u shpreh Erina Rexhepi, drejtore e Shërbimeve të Brendshme në IQT. Rexhepi thotë se krahas kësaj, institucioni ka të mbartur një shumë prej mbi 366 mln lekë që i përket mosarkëtimit të gjobave vendosur subjekteve abuzuese me cilësinë e karburantit nga viti 2000 në 2013-n.


Më të lexuarat