
Permbyten 13.500 ha toke ne 5 qarqe te vendit
Stuhia e reshjeve të shiut si dhe vërshimi i lumenjve kanë vënë Jugun e vendit nën “thundrën” e ujit. Mijëra hektarë tokë dhe qindra banesa janë përmbytur në 5 qarqe të vendit tonë gjatë dy ditëve të fundit. Burime zyrtare nga krerët e njësive vendore, bëjnë me dije se janë përmbytur me shumë se 13.500 hektarë tokë në jug të vendit tonë.
Mësohet se në Qarkun e Vlorës janë përmbytur 8000 ha tokë, në Qarkun e Fierit 5000 ha tokë, në Qarkun e Beratit 250 ha tokë, në Qarkun e Elbasanit 50 ha tokë si dhe dhjetëra ha tokë në Qarkun e Gjirokastrës. Si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimit të lumenjve janë përmbytur mbi 1700 banesa. Sipas krerëve të njësive vendore, në Qarkun e Fierit janë përmbytur 1200 banesa, në Qarkun e Vlorës 350 banesa, në Qarkun e Elbasanit 25 banesa, në Qarkun e Beratit 56 banesa dhe në Qarkun e Gjirokastrës disa banesa.
Qarku Fier
Ndonëse situata vijon të jetë e vështirë, lumi Gjanicë është kthyer në shtratin e vet. Ndërkohë, lumi Seman ka pasur ulje të nivelit të tij, por prurjet vazhdojnë ende të jenë intensive. Në komunën Levan, në fshatrat Ferras, Martinë, Bishan dhe Poro, forcat e ndërhyrjes emergjente kanë evakuuar 110 familje. Po ashtu, në komunën Frakull u evakuuan 30 familje nga fshatrat Kashishtë, Kaftarë dhe Sheqmusa Lala. Ndërkaq, falë ndërhyrjes së helikopterëve u bë i mundur shpëtimi i 12 personave, të cilët ishin izoluar në fshatin Poro dhe Darzezë e Re.
Qarku Vlorë
Mbi 350 banesa dhe mijëra hektarë tokë janë përmbytur në Qarkun e Vlorës. Vetëm gjatë ditës së diel dhe në orët e natës nga komuna Novoselë janë evakuuar 70 familje, të cilat rrezikoheshin nga përmbytja. Në komunën Novoselë, fshati Mifol dhe Bishan shfaqin ende rrezik për vijimin e përmbytjeve. Mësohet se Delta-Force bënë të mundur evakuimin e 40 familjeve nga banesat e tyre. Ndërkohë, rrugë funksionale nga Fieri në Vlorë është vetëm autostrada e re Fier-Vlorë.
Qarku Elbasan
Moti i keq vijon të mbajë të bllokuara shumë fshatra të Elbasanit, për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe prishjes së rrugëve. Një rast i tillë është ai i komunës Gjinar, ku janë izoluar 10 mijë banorë. Sakaq, situata në hidrocentralin e Banjës është përmirësuar, ndërsa niveli i prurjeve është reduktuar. Ndërkohë, dhjetëra fshatra janë pa energji elektrike.
Qarku Berat
Gjatë 24 orëve të kaluara, reshjet në këtë qark kanë qenë me ndërprerje dhe me intensitet mesatar. Mësohet se tashmë niveli i prurjeve të lumit Osum është në vlerat mesatare. Ndërkohë, janë përmbytur 56 shtëpi që ndodhen në të dyja anët e brigjeve të lumenjve Osum dhe Devoll. Po ashtu janë përmbytur mbi 250 ha tokë bujqësore, pemë frutore dhe sera. Sakaq, situata paraqitet e vështirë në bashkinë e Urës-Vajgurore, ku janë ende nën ujë 38 shtëpi.
Qarku Gjirokastër
Reshjet në territorin e qarkut të Gjirokastrës gjatë orëve në vazhdim kanë pasur intensitet të ulët e për pasojë niveli i ujërave të lumit Vjosë ka filluar të ulet. Mësohet se dhjetëra fshatra vijojnë të ngelen të bllokuara, për shkak të rrëshqitjeve të dherave. Po ashtu, në këto zona është ndërprerë dhe energjia elektrike. Ndërkohë, rruga nacionale Tepelenë– Gjirokastër nuk ka probleme nga rënia e inerteve.
Më të lexuarat








