
Sondazhi per rinine shqiptare: Ja si e kalojne kohen mes kafes, internetit dhe shopping
Që nga koha e kaluar në kafene deri te sporti, përdorimi i internetit dhe vullnetarizmi, këto janë aktivitetet kryesore që kryejnë të rinjtë shqiptarë.
Sipas një studimi të kryer nga Fondacioni “Friedrich Ebert” në Tiranë, të rinjtë shqiptarë haxhojnë çdo ditë mesatarisht, 2.3 orë duke parë Televizor, si dhe 3.9 orë online. Por nuk janë këto aktivitetet e vetme. Kafenetë zënë një pjesë të konsiderueshme të jetës së të rinjve shqiptarë. Sipas studimit në fjalë, të publikuar së fundmi, Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste. Faktor i fuqishëm në këtë çështje është, sigurisht, edhe statusi ekonomik i të rinjve: 8 për qind e të rinjve nga grupi më i varfër ekonomikisht nuk del kurrë, krahasuar me mesataren kombëtare, që është vetëm 1 për qind, citon studimi i FES. Gjinia është faktori kryesor që vendos zgjedhjen e aktivitete-ve të të rinjve për kohën e lirë: djemtë luajnë videogames, dalin më shpesh dhe praktikojnë sporte, ndërkohë që vajzat, më së shumti, lexojnë libra. Shpenzimi i kohës së lirë nga të rinjtë është i rëndësishëm, sepse tregon elemente të tjera të jetës së tyre, si dhe të planeve për të ardhmen. Aktivitetet më të zakonshme, që të rinjtë bëjnë shpesh në kohën e lirë, cdo ditë ose disa herë në javë, janë dëgjimi i muzikës (85 për qind e bëjnë këtë shumë shpesh), dalja me miqtë (70 për qind e bëjnë shumë shpesh), shikimi i filmave (72 për qind), relaksimi dhe kalimi kohës me familjen e tyre (92 për qind e bëjnë këtë mjaft shpesh).
Kryeson kafeneja
Gjysma e të rinjve të pyetur e kalojnë shumë shpesh kohën e lirë duke frekuentuar kafene dhe lokale, ndërkohë që 21 për qind e bëjnë këtë me raste. Megjithatë, 15 për qind e të rinjve pohojnë se nuk shkojnë kurrë në kafene dhe lokale në kohën e lirë, kurse 18 për qind prej tyre i frekuenton ato shumë rrallë. Shqipëria, së fundmi, është renditur si vendi me numrin më të lartë të kafeneve për numrin e popullsisë duke ia kaluar dhe Spanjës, që ka pasur për shumë vite rekordin. Kafenetë shqiptare, sidomos në kryeqytet, janë të mbushura plot me të rinj në çdo ditë të javës. Ndaj është me shumë interes të eksplorohet profili i të rinjve, që shkojnë shumë rrallë ose nuk shkojnë kurrë në kafene dhe në bare. Shumica e këtyre të fundit janë femra dhe i përkasin grupmoshës më të re (14 – 17 vjeç). Po ashtu, një ndër katër të rinj, nga grupi më mundësitë më të ulëta ekonomike, thotë se nuk shkon kurrë në kafene ose lokale. Vetëm një e treta e të rinjve shpenzon rregullisht kohë të lirë duke lexuar libra, 19 për qind e bëjnë këtë vetëm me raste, ndërkohë që gjysma tjetër e tyre lexon shumë rrallë (28 për qind) ose nuk lexon kurrë (22 për qind).
Sportet dhe arti
Një situatë e kundërt vihet re aspektin gjinor në praktikimin e sporteve dhe të aktivitetit fizik, ku djemtë janë në krye. 46 për qind e djemve dhe 28 për qind e femrave praktikojnë sporte apo ushtrime shpesh ose shumë shpesh. Megjithatë, në përgjithësi, 41 për qind e të gjithë të rinjve shqiptarë nuk ushtrohen fizikisht, duke praktikuar sporte rrallë ose asnjëherë. Djemtë preferojnë të luajnë me videogames shumë më shumë se vajzat. 37 për qind e tyre e bëjnë këtë shumë shpesh krahasuar me vetëm 13 për qind të vajzave. Ndërkohë 62 për qind e vajzave, dhe 24 për qind e djemve pohojnë se nuk luajnë kurrë videogames.
Vullnetarizmi
Vullnetarizmi në projekte të ndryshme sociale apo organizata të ndryshme është një tjetër indikator i ndjenjës qytetare dhe i përgjegjësisë të të rinjve ndaj komunitetit. Në 2017, 16 për qind e të rinjve u angazhuan vullnetarisht në aktivitete të ndryshme disa herë. Vullnetarët e shpeshtë ishin pak. Në 2014, një grup prej 21 për qind ishin vullnetarë së paku disa herë ndërkohë që shifra ishte po 16 për qind në vitin 2011. Duket se vullnetarizmi mbetet sporadik tek të rinjtë. Meditimi, praktikimi i jogës dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme me to, si leximi i librave mbi spiritualitetin dhe rritjen personale pothuajse nuk njihen nga të rinjtë. 87 për qind e tyre nuk i praktikojnë dhe ata pak të rinj që i njohin dhe i ushtrojnë jetojnë shumica në kryeqytet.
Shopping
Të bërit pazar (Shopping) është një aktivitet, që një e treta e të rinjve e kryen regullisht. Në këtë veprimtari kryesojnë vajzat me 45 për qind, krahasuar me 25 për qind të djemve. Një në dhjetë djem pothuajse nuk shkon kurrë për pazar, duke ia lënë këtë angazhim anëtarëve të tjerë të familjes me shumë gjasë të gjinisë femërorë.
Interneti
93 për qind e të rinjve shqiptarë, krahasuar me 85 për qind të tyre në sondazhin e kaluar kanë akses të rregullt në Internet. Për atë minoritet të vogël, që nuk ka akses të tillë, faktori vendimtar është statusi ekonomik. 1 në 10 të rinj nga grupi me mundësi më të kufizuara ekonomike nuk ka akses në Internet. Të rinjtë shqiptarë kalojnë një kohë mbresëlënëse online, rreth 3.9 orë në ditë. Për meshkujt kjo kohë është dhe pak më e madhe tek 4.1 orë në ditë. Ky trend është në një rritje të vazhdueshme nga 3.2 orë të shpenzuara online në vitin 2014 dhe 2.9 orë në 2011. Sasia e kohës e shpenzuar online dikton shumë elemente të jetës së të rinjve pasi ata e përdorin Internetin për shumë qëllime./Monitor
Më të lexuarat








