Secondary Adv

3 milion dollare per ish-pronaret, ja dokumentacioni i nevojshem

Nesër përfundon afati i aplikimit për kompensimin e ish-pronarëve, të cilët do të përfitojnë nga fondi 3 milion dollarësh i kompensimit të vitit 2014.

Për t’u përfshirë në fondin e kompensimit të truallit, ish-pronarët duhet të plotësojnë formularin Tip dhe të bëjnë kërkesë për kompensim financiar si dhe të plotësojnë një dosje me shtatë dokumente. I domosdoshëm është vendimi i Komisionit të Kthimit të Pronave, i cili duhet të jetë i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm. Bashkëlidhur me kërkesën, qytetarët duhet të dorëzojnë edhe një hartë të miratuar, plani i pronës, një dëshmi trashëgimie, prokurë e posaçme, si edhe një vërtetim nga banka për një numër llogarie.


Fondi i kompensimit
Bëhet fjalë për 300 milionë lekë, të cilat do të shpërndahen nga Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave brenda muajit mars. Procesi i pranimit dhe të regjistrimit të kërkesave për kompensimin në të holla, për subjektet e shpronësuara, prona e të cilëve është njohur për kompensim përfundon në datën 5 shkurt. Përfitojnë kompensim, subjektet e shpronësuara që disponojnë një vendim përfundimtar dhe të ekzekutueshëm për kompensimin e pronës tokë truall, referuar radhës kronologjike të përcaktuar nga numri dhe data e vendimit me të cilin aplikohet.


Masa e kompensimit
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave parashikon që masa e kompensimit të jetë 200 m² e sipërfaqes truall të caktuar për kompensim në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës. Sipas AKKP-së, kompensimi bëhet për pronën e llojit truall në bazë të çmimit të përcaktuar në hartën e vlerës miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në korrik të vitit 2014 për vlerën e pronës për secilin qark.


Tarifat
Aplikuesit apo përfaqësuesit me prokurë kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 lekë dhe gjithashtu, të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në të cilënshuma që përfitohet.


Dokumentet
Subjekti apo përfaqësuesi i tij me prokurë duhet të paraqesë pranë Agjencisë së Pronave këto dokumente:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip, që i bashkëlidhet vendimit të qeverisë, të plotësuara sipas rubrikave (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Titullin për njohjen dhe kompensimin e pronës, që sipas rastit, mund të jetë vendim i Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i Agjencisë së Kthimit apo Kompensimit të Pronave, si dhe vendim i gjykatës në rastet kur vendimet e sipërcituara janë ndryshuar në rrugëgjyqësore;
c) Planvendosjen e vendimit, si dhe planin e rilevimit aktual të pronës së njohur për kompensim. Plani i rilevimit duhet të pasqyrojë konturin (kufirin) e pronës së vjetër, duke përcaktuar qartë sipërfaqen e njohur të kthyer dhe atë të njohur për kompensim;
d) Dëshminë e trashëgimisë, Prokurë, të nënshkruar nga të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare në emër të tyre;
f) Vërtetimin e lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare;
g) Fotokopjen e dokumentit të identifikimit të përfaqësuesit me prokurë;
h) Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë. 
Subjektet që kanë aplikuar për kompensim në të holla në vitet 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 duhet të paraqesin këto dokumente:
a) Kërkesën dhe deklaratën tip (për plotësimin e këtyre akteve aplikuesve do t’u ofrohet konsulencë nga punonjësit e AKKP-së, të ngarkuar për pranimin e dokumentacionit);
b) Dëshminë e trashëgimisë, nëse ka ndryshime në rrethin e trashëgimtarëve të ligjshëm të subjektit të shpronësuar, sipas radhës së trashëgimtarëve, të përcaktuar në Kodin Civil.
c) Prokurën e posaçme, nëse ajo e paraqitur në vitin 2008, 2009, 2011, 2012 dhe 2013 ka kufizim në kohë për tagrin e përfaqësimit, tërheqjes së shumës në të holla apo kur rrethi i trashëgimtarëve të subjektit të shpronësuar ka ndryshuar.


Më të lexuarat