
Tenderi i UBT ne 2018: Firma fituese ofroi 100 mln me shume se oferta me e ulet
Në vitin 2018, Universiteti Bujqësor i Tiranës tenderoi ndërtimin e një muri rrethues për kampusin dhe portën hyrëse.
“Fiks Fare” denoncoi mbrëmjen e së mërkurës tentativat e një grupi të vogël pedagogësh dhe studentësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës për të penguar ndërtimin e një gjimnazi në Kodër Kamëz. Prona është e regjistruar në Hipotekë nga Bashkia e Tiranës, por prej disa ditësh, UBT kundërshton ndërtimin e kësaj shkolle, me arsyetimin se ka një projekt për ndërtimin e disa godinave. “Fiks Fare” shfletoi dokumentet dhe pyeti përfaqësues të bashkisë dhe universitetit. Nga dokumentet rezulton se Bashkia e Tiranës disponon me certifikatë pronësie një sipërfaqe rreth 9 mijë metra katrorë truall, në afërsi të UBT. Toka ka qenë private dhe i është kthyer një pronari. Por, më pas, bashkia ka shpronësuar pronarin dhe e ka regjistruar në hipotekë. Gazetarët e “Fiks Fare” biseduan me Jonida Dokun, administratoren e Njësisë Bashkiake Nr.11. Sipas saj, projekti prek 30 mijë banorë dhe aktualisht, në zonë nuk ka gjimnaz. Madje, 1 nga dy shkollat 9-vjeçare bën mësim me dy turne. Sipas saj, me ndërtimin e kësaj shkolle, zgjidhet ky problem.
Universitet i zaptuar
“Fiks Fare” bëri një vëzhgim në ambientet e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Në brendësi të kampusit është një universitet privat “Qirjazi”. Mësohet se godina i është kthyer trashëgimtarëve të familjes Qirjazi, ndërsa disa kohë më parë, i është shitur z.Gjok Uldedaj, ish-deputet i Partisë Demokratike. Një punonjës i këtij universiteti thotë se z.Uldedaj është edhe pedagog në këtë universitet si dhe pronar i godinës. Më tej shtoi se aktualisht në këtë universitet ka rreth 200 studentë. Edmond Terthorja, administrator i UBT-së, thotë se universiteti ka disa vite që funksionon në atë godinë, që i është kthyer pronarit. Ai shton se deri më tani, UBT dhe universiteti privat nuk kanë pasur probleme. Ndërkohë, nga 10 konvikte, 8 janë zaptuar nga banorë dhe 2 janë vetëm për studentë. Mësohet se janë rreth 35 familje që jetojnë në ambientet e universitetit. “Janë 35 familje, janë pa ujë e drita. Jetojnë në kushte shumë të këqija” thotë Terthorja.
Tenderi 62 mln lekë i paracaktuar?!
Në vitin 2018, Universiteti Bujqësor i Tiranës tenderoi ndërtimin e një muri rrethues për kampusin dhe portën hyrëse. UBT akordoi plot 62 milionë lekë të reja, ku në garë morën pjesë 8 firma. Nga pjesëmarrësit në tender, u skualifikuan 5 firmat e para që kishin ofruar më pak dhe u shpall fituese firma e 6-të. Firma e parë ofroi 42 milionë lekë të reja, ndërkohë fituesi ofroi 52 milionë lekë. Janë rreth 10 milionë lekë që konsiderohen edhe si humbje. “Firma e parë që ofroi më pak lekë u skualifikua se ishte poshtë mesatares së të gjitha ofertave. Pra, u skualifikua se kërkoi pak lekë për ta bërë!” thotë Tërthorja. I pyetur nëse firma do të kishte ofruar 30 milionë lekë të reja, a do të s’kualifikohej sërish, ai tha po. Pra, fitues në një tender shpallesh kur ke akorduar më shumë lekë!/Shqip
Më të lexuarat








