Secondary Adv

Sot zyrtarizohet emri i guvernatori te ri i Bankes se Shqiperise

Kuvendi zyrtarizon sot emrin e Genti Sejkos si Guvernatori i ri i Bankës së Shqipërisë. Konsensusi paraprak i dhënë nga mazhoranca dhe opozita, pas seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, pritet të konfirmohet sot me votën e deputetëve në seancë plenare.


Ligjvënësit do të votojnë dhe kalendarin 3-javor të punimeve të kuvendit, 6 shkurt – 26 shkurt 2015. Do të jetë fillimisht Konferenca e Kryetarëve që do të japë miratimin për këtë kalendar, ku pritet të përfshihet dhe kërkesa e demokratëve për të bashkëkryesuar komisionin e Reformës në Drejtësi. Por pjesë e axhendës së sotme të seancës plenare është edhe një interpelancë me ministren e Mbrojtjes, Mimi Kodheli kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Trafiku i drogës dhe përfshirja e ushtarakëve të Forcave të Armatosura në të pritet të jetë sërish kryefjala e debatit parlamentar.


Në seancën e kaluar plenare ministrja Kodheli u ktheu përgjigje shumë prej akuzave të demokratëve për përfshirjen e FA-ve në këtë trafik por duket se për opozitën gjithçka duhet të ridiskutohet. Kuvendi do të zyrtarizojë me votën e deputetëve dhe dekretet e presidentit Bujar Nishani për shkarkim dhe emërim ministrash që kanë në thelb kalimin e varësisë të sektorit të turizmit nga ministria që drejtohet nga Eglantina Gjermeni tek ajo që drejtohet nga Arben Ahmetaj. Në këtë mënyrë ministri Ahmetaj do të ketë në menaxhim veç zhvillimit ekonomik, tregtisë dhe sipërmarrjes edhe turizmin. Ndërsa ministrja Gjermeni do të menaxhojë vetëm zhvillimin urban të vendit.


Pjesë e axhendës është më tej projektligji “Për një ndryshim në aktin normativ me fuqinë e ligjit nr. 4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuara me ligjin nr. 9967, datë 24.7.2008; projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së programit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Konfederatës Zvicerane, për grantin e asistencës financiare për “Programin e infrastrukturës bashkiake III/IV” (Berat, Kuçovë, Gjirokastër, Kamzë, Lushnjë, Delvinë, Librazhd), kontributi zviceran” si edhe projektvendimet “Për caktimin e kryetarit të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare”; “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të znj. Anila Denaj”; “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të znj. Klarina (Allushi) Abazaj si dhe projektvendimi “Për caktimin e kohëzgjatjes se mandatit të një anëtari të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të znj. Ketrin Topçiu./Shekulli


Më të lexuarat