Secondary Adv

Kompensimi i energjise, si mund te perfitohet

Me firmën e tre ministrave, atij të Financave, Energjisë dhe Mirëqenies Sociale, janë përcaktuar rregullat për kompensimin e dritave. Gazeta “Panorama” zbardh të plotë udhëzimin, bashkë me dokumentet që duhet të plotësojnë tri kategoritë për të përfituar 648 lekë në muaj, kompensim për rritjen e çmimit të energjisë.


Udhëzimi me firmën e Canit, Gjiknurit dhe Veliajt është miratuar më datë 2 shkurt, dhe e shtrin efektin në të gjitha faturat që do të vijnë gjatë muajit shkurt e më tej. Në udhëzim janë vendosur kushtet që duhet të plotësojnë pensionistët e qytetit ose ata që marrin pension invaliditeti, familjet që marrin ndihmë ekonomike, familjet që kanë anëtarë të tyre paraplegjikë, tetraplegjikë ose të verbër, si dhe familjet që kanë vetëm një të punësuar në shtet me pagë nën 35 mijë lekë në muaj. Pra janë këto kategori, ose rreth 203.928 familje.


Udhëzimi
Sipas udhëzimit, të gjitha këto kategori në faturën e dritave do të kenë të shënuar vlerën e plotë të energjisë së konsumuar.
Kompensimi, prej 648 lekësh, do të ndahet në vendet ku ata marrin pensionin ose ndihmën ekonomike. Vendimi sqaron se të gjithë kategoritë duhet të plotësojnë kushtin e pagesës së energjisë.
Pra kompensimi nuk jepet për familjet që janë debitore. “Fotokopje të librezës së energjisë që vërteton se nuk ka detyrime të papaguara”.
Pra kompensimi jepet vetëm për familjet e rregullta. Për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, listat e përfituesve do të përpilohen në zyrat e njësive bashkiake.


Po në këto zyra, aty ku merret edhe trajtimi me ndihmë ekonomike, do të merren edhe paratë e kompensimit të çmimit të dritave. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për kategoritë e tjera, si ata që kanë në familje anëtarë tetraplegjikë apo paraplegjikë ose të verbër.
Ndërsa për kryefamiljarët që trajtohen me pagesë aftësie të kufizuar, duhet të paraqitin një deklaratë shtesë nga zyrat e punës, që në familje nuk ka të punësuar të tjerë. Lista e përfituesve, krahas administratorit shoqëror të pushtetit vendor, duhet të marrë edhe miratimin e këshillit të pushtetit vendor.


Më të lexuarat