Masterplan per shendetesine 2019-2024: Drejt hartimit nga Ministria, ja cfare do perfshije
Ministria e Shëndetësisë po kërkon konsulent që të hartojë dokumentin e drejtimit që do t’i jepet sektorit në 5 vitet e ardhshme lidhur me bazën e të dhënave elektronike.
Në një njoftim të bërë në faqen e Bankës Botërore(pasi projekti mbështetet financiarisht nga kjo bankë) nënvizohen edhe pikat kyçe që do të mbahen parasysh për hartimin e dokumentit. “Qeveria e Shqipërisë ka marrë një financim nga Banka Botërore nën Projektin e Përmirësimit të Sistemit Shëndetësor dhe synon që të aplikojë një pjesë të këtyre parave për qëllime konsulence. Konsulenti pritet që të ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të arritur dy objektiva kyçe: Zhvillimi i një Masterpalni Kombëtar për Shëndetësinë që është realist i zbatueshëm dhe me përfitim si dhe zhvillimi i një kuadri standardizues për të dhënat në e- Shëndeti(të dhënat online)” thuhet në njoftimin e bërë në faqen e Bankës Botërore. Masterplani i E-Shëndetit do të mundësojë një kudër të përgjithshëm dhe arkitekturën për zhvillimin e E-Shëndetit në Shqipëri për të përmirësuar koordinimin mes palëve zhvilluese.
Ai gjithashtu sipas dokumenteve do të japë një panoramë të bashkëpunimit mes sistemeve të E-Shëndetësisë dhe ku duhet të fokusohen planet e investimit në infrastrukturën IT të vendit në shëndetësi. “Kuadri i standardizimit të E-Shëndetit do të përcaktojë një standard minimal të funksionimit duke mbështetur strukturën e të dhënave. Po kështu një standard për klasifikimin dhe regjistrat bazikë si dhe versionin e parë të Fjalorit të të Dhënave Shëndetësore të Shqipërisë dhe një model standard të këtyre të dhënave. Konsulenti do të lehtësojë punën për Master Planin dhe Kuadrin e Standaritizmit të E-Shëndetit dhe do të bëjë një draft me dokumentet që dalin nga kjo fazë përmes punës me disa aktorë përfshirë Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Qendrat e Kujdesit Primar, spitalet private dhe publike, fondet e sigurimit shëndetësor, grupe të pacientëve, ekspertë ligjorë dhe politikëbërës, zhvillues she shitës të softwareve si dhe palë të tjera të lidhura me këtë aspekt” thuhet në kërkesën e Ministrisë. Projekti për Shëndetësinë mbështetur nga Banka Botërore është aprovuar në vitin 2015 dhe vijon zbatimin prej një sërë vitesh. Kostoja totale e tij llogaritet në 40 milionë dollarë./Monitor