Si do funksionoje Agjensia e Kadastres - Lame: Masa per lejet e paregjistruara dhe tokat ne bregdet
Të paktën 80 mijë leje legalizimi të dhëna nga Agjencia e Legalizimeve ndër vite nuk janë regjistruar në sistemin e Hipotekës.
Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës e sapokrijuar nga shkrirja e ALUIZNI- dhe ZRPP, Artan Lame gjatë një takimi informal me mediat sqaroi mënyrën sesi do funksionojë institucioni i ri. Ai theksoi se synimi është qe këto leje të dhëna por të paregjistruara të kalohen në një pjesë të veçantë të sistemit për të mos kufizuar qytetarët nga e drejta e tyre mbi pronësinë. Ai theksoi se institucioni i krijuar mbi bazë të ligjit “Për kadastrën” pritet të zgjidhë nje herë e mirë pjesën e pong-pongut institucional qe ka frenuar avancimin e projektit.“ Ligji përcakton që ZRPP është institucioni që mbetet si bosht kryesor kurse Aluizni i bashkëngjitet. Fillimisht do të jenë 41 zyra ndërsa synohet që të shkohet në 61 për të pasur një në çdo bashki. Ne çdo zyre ka një regjistrues që do të kthehet në drejtor vendor i kadastrës dhe ai mbulon regjistrimin e pasurive dhe proceset kalimtare” tha Lame.
Ai nënvizoi se në terren ka nevojë për disa sipërmarrje të rëndësishme duke nisur nga skanimi dhe dixhitalizimi dhe për t’i qendërzuar në një sistem. “Po bëjmë shkrirjen e institucioneve, i emëruar jam vetëm unë. Struktura duhet te miratohet nga kryeministri dhe me pas nis riemërimi nga lart poshtë. Për hipotekën ka pasur në 20 vite 120 milionë euro shpenzime që kane prodhuar një sistem hartografik të gabuar që do bëhet nga e para. Sot 170 mije leje te dhëna rreth 80 mije janë të paregjistruara” tha Lame. Ai nënvizoi që do të ribëhen te gjitha hartat por nuk do të ketë dalje ne terren. Kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës bëri me dije se do të nise regjistrim masiv ne Jug për tokat në bregdet.“Do të ndiqet procedura standarde e shpallje së njoftimit, të sillet dokumentacioni, të mbledhin të dhënat të bëhet rivelimi dhe do të hidhen në sistem ato prona me tituj të saktë nga ana formale, pra kush ka një Akt pronësie të ligjshme regjistrohet” nënvizoi Lame./Monitor