
Permbytjet ne Shqiperi, kompensim i plote edhe pa gjendjen e jashtezakonshme
Cilitdo që i janë dëmtuar muret e banesave, si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e shumta të këtyre pesë ditëve pothuajse në gjithë vendin, do të kompensohet vetëm 50% e të gjithë dëmit të shkaktuar. Ndërsa të gjitha orenditë shtëpiake, edhe pse qeveria nuk shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa qarqe në Jug të vendit, do të kompensohen 100%.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, shpjegon për gazetën “Shqip” zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave të miratuar që në 2012-n, i cili parashikon procedurën e kompensimit të banorëve që janë prekur nga përmbytjet. “Vendimi i Këshillit të Ministrave 329, në zbatim të ligjit, thotë se kur duhet të shpallet gjendja e emergjencës dhe kur jo. Në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, sepse emergjenca iku shpejt dhe nuk jemi në efektin e një emergjence. Vendimi parashikon që orenditë dhe pajisjet edhe në rastin e mosshpalljes së emergjencës kompensohen 100%, ndërsa muret faktikisht nuk janë shembur, por vetëm kanë marrë lagështirë, do t’u kompensohen gjysma e vlerës së dëmit të shtëpisë. Po qe se do të kishte një shkatërrim të shtëpive, ne do t’u ndërtonim shtëpi të re. Ky quhet dëmshpërblim 100%”, shpjegoi Prençi.
Ndër të tjera, ai theksoi se banorëve do t’u kompensohen 100% edhe dëmet e shkaktuara në gjënë e gjallë. “Qytetarët janë të interesuar për produktet bujqësore dhe blegtorale, të cilat do të vlerësohen. Do të vlerësohen një më një, sepse ka pasur humbje të mëdha të bagëtive. Ne jemi në procesin e vlerësimit. Nesër (sot) do nisin të ngrihen grupet e punës ndërinstitucionale të ministrive së bashku me komisionet e komunave, të cilët do të vlerësojnë sa dëm ka dhe do të kompensohet çdo orendi me vlerën që ka drejtoria e tatimeve”, tha Prençi.
Duke argumentuar arsyen pse nuk u shpall gjendja e jashtëzakonshme, duke iu referuar këtu edhe precedentëve siç është Shkodra. “Nuk kemi të bëjmë si në rastin e Shkodrës, ku ka qëndruar uji për rreth dy muaj. Nëse do të kishim shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, do të privonim njerëzit që të ktheheshin në banesa. Qeveria ka pyetur ekspertët dhe ne nuk mund ta kalojmë zonën në karantinë, ndërkohë që uji ka ikur. Sot (dje) janë hapur gropat për varrosjen e bagëtive që të mos përhapen sëmundje infektive”, sqaroi Prençi.
Vendimi
Ndërkohë që po hapet një debat në lidhje me masën e dëmshpërblimit të të përmbyturve nga qeveria. Opozita po shprehet se Rama nuk shpall gjendjen e jashtëzakonshme, për shkak se nuk do të dëmshpërblejë banorë të dëmtuar në masën 100%, por në masën 50%. Kjo gjë, në fakt, lidhet me një vendim të marrë nga qeveria e mëparshme, e cila drejtohet e djathta.
Vendimi i qeverisë “Berisha”, i miratuar në datë 16.5.2012 “Për kriteret dhe procedurat e dhënies së ndihmës shtetërore financiare për mbulimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore”, përcakton procesin që do të ndodhë për dëmshpërblimin e banorëve si dhe përcakton masën financiare. “Grupet e vlerësimit të dëmeve bëjnë vlerësimin në secilin objekt të përmendur në shkronjën “a” të pikës 1 të këtij kreu, dhe plotësojnë formularët përkatës me sasitë dhe efektet financiare, të cilat i dorëzojnë në këshillin e qarkut përkatës.
Këshilli i qarkut, në bashkëpunim me njësitë e qeverisjes vendore, përgatit listat përmbledhëse për subjektet private të pronave të dëmtuara, preventivat që miratohen nga ministritë e linjës për sektorët që ato mbulojnë, si dhe plotëson dokumentacionin me certifikatën familjare, fotokopjen e dokumentit të identifikimit dhe i paraqet ato në Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile, në Ministrinë e Brendshme”, thuhet në vendim.
Ndër të tjera, edhe pse VKM nuk përcakton kompensimin 100% të orendive shtëpiake, ky vendim është marrë nga mbledhja e fundit e qeverisë, duke marrë parasysh situatën emergjente. “Masa e ndihmës financiare që Këshilli i Ministrave ose Ministria e Brendshme akordon në rastin e humbjes së jetës së anëtarëve të familjes, si pasojë e fatkeqësisë, është 500 mijë lekë për çdo person të vdekur. Në rastet e dëmtimit të banesave private, masa e ndihmës bazohet në preventivin e bërë nga grupet e vlerësimit, llogaritur me çmimet në fuqi, miratuar nga Këshilli i Ministrave për Entin Kombëtar të Banesave dhe në mundësitë financiare të organeve të qeverisjes vendore, Ministrisë së Brendshme ose fondit rezervë të buxhetit të shtetit apo dhe të burimeve të tjera. Në rastin e dëmtimeve në orendi, mobilie dhe pajisje elektroshtëpiake në strukturat e banimit, masa e ndihmës llogaritet mbi bazën e çmimeve mesatare për artikuj, përcaktuar nga strukturat e tatim-taksave”, thuhet në vendim.
Kompensimi për banorët e prekur
-Dëmtimi i banesave private (banesat nuk janë të shkatërruara), masa e ndihmës bazohet në preventivin e bërë nga grupet e vlerësimit: kompensim 50% e gjithë dëmit.
-Dëmtimi në orendi, mobilie dhe pajisje elektroshtëpiake në strukturat e banimit: kompensim 100% (masa e ndihmës llogaritet mbi bazën e çmimeve mesatare për artikuj, përcaktuar nga strukturat e tatim-taksave).
-Në rastin e humbjes së jetës së anëtarëve të familjes, si pasojë e fatkeqësisë masa e dëmshpërblimit: 500 mijë lekë për çdo person të vdekur.
Më të lexuarat








