Ne maj nis projekti i perbashket me Serbine per akset rrugore
Shqipëria dhe Serbia do të bashkëpunojnë në ndërtimin e veprave ndërlidhëse mes dy vendeve, por edhe rajonit. Projektet e përbashkëta për ndërtimin e dy rrugëve, Nish – Prishtinë – Durrës, Beograd – Tivar – Durrës dhe hekurudhës Serbi - Shqipëri do të prezantohen në samitin e radhës rajonal të Berlinit.
Në kuadër të nismës së Berlinit për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, ministri i Ekonomisë Ahmetaj dhe zv.kryeministrja e Serbisë Zorana Milajloviç zhvilluan një takim bilateral, duke bërë të ditur kështu projektet e përbashkëta mes vendeve, në ekonomi dhe infrastrukturë.
Dy vendet kanë ngritur grupet e punës për këto projekte, ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se, takimi i dytë për projektet e përbashkëta do të zhvillohet gjatë muajit Prill. Zv/kryeministrja e Serbisë, dhe njëkohësisht ministre e Transportit në këtë vend, u shpreh se, vendet e rajonit synojnë integrimin europian ndërsa bashkëpunimi mes vendeve do të jetë më i gjerë.
Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit do të jetë më i gjerë, ndërsa ne aktualisht kemi parë si prioritare ndërtimin e rrugëve ndërlidhëse me Shqipërinë. Kemi ngritur grupe pune të përbashkëta, ndërsa takimi i dytë do të zhvillohet në Beograd gjatë muajit Prill për realizimin e këtyre projekteve. Shpresojmë që të ketë përfunduar studimi i fizibilitetit dhe gjatë muajit Maj të paraqesim projekte konkrete në Berlin. Gjithashtu dua të them se, do të ndihmojmë Shqipërinë për të përballuar situatën emergjente të krijuar për shkak të përmbytjeve.
Dëshira e Serbisë për një akses më të shpejtë dhe rrugë më të shkurtër në tregjet europiane përmes porteve detare të Shqipërisë është e hershme. Mungesa e kapaciteteve por edhe e vullnetit politik ka bërë që vendi me ekonominë më të fortë në rajon të shfrytëzojë kapacitetet e portit të Selanikut për shkëmbimet tregtare.