Banesat prane lumenjve do te prishen, kompensim per demet nga permbytjet
Qeveria po shikon mundësinë për të zhvendosur ndërtesat që gjenden pranë lumenjve te rrëmbyeshëm të Vjosës, Drinit e Shkumbinit, për të mënjanuar përmbytjet.
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti tha se pas kapërcimit të kësaj situate emergjente, do të hartohet një plan i përbashkët me Ministrinë e Mjedisit, për mbjelljen e pyjeve, ndalimin e kompanive të paligjshme që gërryejnë lumenjtë dhe zhvendosje të banorëve nga zonat problematike. Ky qëndrim i Ministrit Panariti, vjen në nisjen e projektit për regjistrimin e kadastrave të tokës në vend ka më shume se 30 vite që nuk është përditësuar asnjë e dhënë. Investimi prej 23 milion dollarësh do t’i paraprije ligjit të ri per mjedisin, për mënyrën e duhur të menaxhimit.
Prononcimi i plotë i Ministrit Panariti Kompensim të plotë për cdo bagëti të mbytur dhe ne jemi të vendosur t’ju kompensojmë për cdo humbje. Kështu iu është drejtuar Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti fermerëve të fshatit Ferras dhe Bishan në qarkun e Fierit të përmbytura ditët e fundit . Është një fatkeqësi e madhe për humbjet e mëdha që patët. Ju keni të lidhur jetën me bagëtitë. Por ajo që është e rëndësishme është se ne jemi të vendosur t’ju kompensojmë për çdo humbje. Nga ana tjetër për bagëtitë që ju keni shpëtuar ne kemi sjellë 50 tonë ushqim dhe duke ardhur janë edhe 100 tonë të tjerë për të gjitha bagëtitë që janë në tokë të thatë dhe që s’kanë ushqim. Kështu që urgjentisht duhet të fillojnë të ushqehen. Unë e kam përparësi dhe prioritet bagëtinë e imët dhe kjo zonë historikisht, tradicionalisht, me bagëti është mbajtur.
Për dhentë në do të kemi një vëmendje të veçantë. Do t’ju ndihmojmë me përmirësimin e racës, me baxho dhe me të gjithë nevojat që do të keni. Ky vit do të jetë viti i blegtorisë pasi e kemi blegtorinë jo aty ku duhet. Në radhë të parë do të fillojmë me mbulimin e humbjeve që keni pësuar ju nga përmbytjet. Do të mbahen shënim të gjithë dëmet, një me një. Unë e bisedova me Kryeministrin dhe dëmshpërblimi do të fillojë me blegtorët.
Si do të kryhet procesi i dëmshpërblimit? Ne do të mundohemi t’i shpërblejmë 100 për qind. Këtë do ta vlerësojnë ekspertët, por kryesorja është që ata do të marrin paratë, sepse unë dëshiroj që secili prej tyre të ketë sërish atë numër krerësh që ka pasur.