Borxhi publik zbret ne 63.6 per qind: Ne fund te 2019 pritet te arrije shifrat 64.9 per qind
Ministria e Financave e vlerëson borxhin publik të Shqipërisë sa 63.6% e Prodhimit të Brendshëm Bruto në fund të muajit mars.
Shifrat tregojnë një rënie të përkohshme të borxhit publik në terma realë, por kjo është një shifër e destinuar të rritet më tej gjatë viti, me zgjerimin e stokut të borxhit. Mbështetur në projeksionet e buxhetit, borxhi publik pritet të jetë rreth 64.9% në fund të vitit 2019. Në 31 mars, borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 1.15 trilionë lekë ose rreth 8.9 miliardë euro. Që nga fillimi i vitit, ai është rritur me rreth 9 miliardë lekë. E gjithë rritja ka ardhur nga zgjerimi i borxhit të jashtëm, ndërsa borxhi i brendshëm ka vazhduar të ulet edhe në tre muajt e parë të vitit. Ulja e kërkesës për huamarrje në tregun e brendshëm është një nga arsyet që i ka ulur normat e interesit për bonot dhe obligacionet pranë niveleve më të ulëta historike. Kjo ka bërë që edhe interesi mesatar i ponderuar i letrave të borxhit të bjerë në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë. Sipas Ministrisë së Financave, yield-i mesatar i titujve të ka rënë në 4.02%, nga 4.18% që ishte në fund të vitit të kaluar. Paralelisht, qeveria ka rritur maturitetin mesatar në 838 ditë, që është kohëzgjatja më e madhe e regjistruar deri më sot. Deri tani, Ministria e Financave ka shfrytëzuar më së miri konjukturën e favorshme të tregut për të ulur koston e huamarrjes, duke zgjatur maturitetin mesatar. Kjo ndihmon në uljen e rrezikut të rifinancimit të shpeshtë të borxhit./Scan